Zelensky: Refuzimi i Rusisë për armëpushim ndërlikon përpjekjet për paqe

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se refuzimi i Rusisë për të pranuar një armëpushim po pengon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. “Ne shohim që Rusia kundërshton thirrje të shumta për armëpushim dhe ende nuk ka përcaktuar se kur do t’i ndalë vrasjet. Kjo e ndërlikon situatën,” tha ai në një reagim në X.
Të hënën, Zelensky pritet të udhëtojë në Uashington DC, ku Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka paralajmëruar se do t’i kërkojë një marrëveshje të përhershme paqeje, duke anashkaluar një armëpushim të përkohshëm. Trump, pas samitit me Vladimir Putinin në Alaska, tha se kjo do të ishte “mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës”, pasi sipas tij armëpushimet shpesh nuk funksionojnë.
Pas një telefonate me Trump, Zelensky u shpreh për një paqe të qëndrueshme dhe kërkoi “garanci të besueshme sigurie” si dhe kthimin e fëmijëve të rrëmbyer nga territoret e pushtuara. Ndërkohë, raportohet se Putin i ka ofruar Trump-it një marrëveshje që përfshin tërheqjen e Ukrainës nga Donbasi, në këmbim të ngrirjes së frontit në Zaporizhzhia dhe Kherson – një ofertë që ka ngjallur shqetësim në Kiev dhe kryeqytetet evropiane.
Udhëheqësit e BE-së kanë theksuar se vendimet territoriale i takojnë vetëm Ukrainës, duke përsëritur se kufijtë ndërkombëtarë nuk mund të ndryshohen me forcë. Kryeministri britanik Keir Starmer vlerësoi përpjekjet e Trump, por theksoi se paqja nuk mund të arrihet pa përfshirjen e Zelensky-t në çdo marrëveshje.
Ndërkohë, në Ukrainë, reagimet ndaj samitit Trump–Putin janë përzier, me shumë qytetarë që ndihen të “shtypur” nga skenat e përfaqësuara në Alaska.