Zekerija Berisha merr pjesë në pritjen për Ditën Kombëtare të Katarit, thekson forcimin e bashkëpunimit dypalësh

Këshilltari i VLEN-it në Qytetin e Shkupit, Zekerija Berisha, ka marrë pjesë në pritjen zyrtare me rastin e Ditës Kombëtare të Shtetit të Katarit, me ftesë të të Ngarkuarit me Punë të këtij shteti, Sh.T. Rashid Saeed Al-Khayareen.
Në një njoftim publik, Berisha bëri të ditur se pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje përbënte një nder të veçantë. “Me ftesë të përzemërt të të Ngarkuarit me Punë të Shtetit të Katarit, pata nderin të marr pjesë në pritjen me rastin e Ditës Kombëtare të Shtetit të Katarit,” shkruan ai.
Ai thekson se gjatë këtij takimi ka përcjellë urimet e tij më të sinqerta dhe ka riafirmuar angazhimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. “Rikonfirmova angazhimin tim personal për të forcuar më tej bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve tona, në nivelin e qeverisjes lokale,” vlerëson Berisha.
Sipas tij, ngjarja kishte rëndësi të veçantë diplomatike dhe shërbeu si hapësirë për afrimin e mëtejshëm institucional. “Ngjarja ofroi një platformë të vlefshme për thellimin e lidhjeve diplomatike dhe për të festuar frymën e fortë të miqësisë që lidh kombet tona,” thekson këshilltari i VLEN-it.
Berisha nënvizon se kontakte të tilla kontribuojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme dhe në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në nivel lokal dhe institucional.



