Zekerija Berisha: Do të jem zë i fuqishëm për Sarajin në Këshillin e Qytetit të Shkupit

Bartësi i listës së koalicionit VLEN për Këshillin e Qytetit të Shkupit, Zekerija Berisha, ka zhvilluar një takim me banorët e Arnaqisë në Komunën e Sarajit, ku ka theksuar vendosmërinë e tij për të përfaqësuar me dinjitet dhe zë të fuqishëm këtë zonë në institucionet vendore.
“Sonte zhvilluam një takim me banorët e Arnaqisë në Komunën e Sarajit. Si këshilltar i ardhshëm i koalicionit VLEN në Qytetin e Shkupit, do të jem zë i fuqishëm për këtë zonë dhe do të inicioj e përkrah çdo projekt që sjell zhvillim dhe kushte më të mira për banorët e Sarajit,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se prioritetet e tij do të përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe mbështetjen e iniciativave komunitare që kontribuojnë në mirëqenien e qytetarëve.
“Një zë për Sarajin! Një zë për Qytetin e Shkupit!”, përfundoi Berisha, duke nënvizuar se përfaqësimi i drejtë dhe efikas i çdo lagjeje të Shkupit është thelbi i vizionit të tij për një qytet më të zhvilluar e të barabartë për të gjithë.