Zëdhënësja e OKB-së në Gaza: Stoqet ushqimore kanë mbaruar, qasja në ujë po bëhet e pamundur

Zëdhënësja e Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA) në Gaza, Olga Cherevko tha se Izraeli ka bllokuar hyrjen e të gjitha ndihmave humanitare dhe furnizimeve mjekësore gjatë dy muajve të fundit dhe rezervat ushqimore në rajon kanë mbaruar kryesisht ndërsa qasja në ujë është bërë e pamundur, transmeton Anadolu.
Cherevko i bëri vlerësimet e saj përmes internetit në konferencën javore për media të Zyrës së OKB-së në Gjenevë. Ajo tërhoqi vëmendjen ndaj realitetit të pamëshirshëm që po përjetohet në Gaza. Cherevko tha se vendimmarrësit për muaj të tërë kanë parë në heshtje imazhet e fëmijëve të përgjakur, gjymtyrëve të prera dhe prindërve të pikëlluar.
“Pas gati 18 muajsh lufte të përgjakshme, Gaza është shndërruar në rrënojë. Rrugët janë plot me rrënoja dhe zhurmat e fëmijëve që luajnë mbyten nga zhurma e shpërthimeve”, tha Cherevko.
Ajo shtoi se Izraeli dy muaj më parë ka mbyllur kufijtë për të penguar hyrjen e ndihmës humanitare dhe furnizimeve të tjera në Gaza dhe kjo ka shkaktuar një numërim mbrapsht për skenarin më të keq.
“Rezervat ushqimore kanë mbaruar kryesisht, qasja në ujë po bëhet e pamundur dhe spitalet po raportojnë se po u mbarojnë njësitë e gjakut. Viktimat masive vazhdojnë të vijnë. Në më pak se një muaj e gjysmë, mbi 420 mijë njerëz në Gaza janë detyruar të largohen përsëri. Shumë prej tyre kanë mbërritur në strehimore të mbipopulluara vetëm me rrobat që kishin të veshura në trup si dhe duke u shënjestruar gjatë rrugës. Tendat dhe objektet e tjera ku njerëzit kërkojnë siguri po bombardohen”, tha Cherevko.
– “Tmerri në Gaza vazhdon të përjetohet ndërsa bota shikon”
Tmerri në Gaza vazhdon të përjetohet ndërsa bota e shikon, nënvizoi Cherevko e cila vuri në dukje se kjo situatë e tmerrshme mund të përmbyset nëse janë në dispozicion materialet e nevojshme dhe se ata janë të gatshëm të shpërndajnë ndihma nëse kalimet kufitare rihapen.
Cherevko bëri të ditur se komuniteti ndërkombëtar ka dy mundësi, të vazhdojë të shikojë pamjet e tmerrshme të mbytjes së Gazës dhe lënies së saj në uri, ose të ndërmarrë hapa të guximshëm dhe moralë për të thyer këtë bllokadë brutale.
Zëdhënësja Cherevko shprehu shqetësim se njerëzit po bëhen të pandjeshëm ndaj vrasjeve të vazhdueshme në Gaza. “Numri i njerëzve të vrarë ose të plagosur është bërë një tjetër realitet surreal që matet. Shqetësohem se pas pesë, dhjetë apo njëzet vjetësh do të shohim te fëmijët dhe nipërit tanë dhe nuk do të jemi në gjendje t’u shpjegojmë atyre pse nuk kemi mundur ta ndalonim këtë tmerr. Edhe sa gjak do të duhet të derdhet që kjo të marrë fund?”, tha ajo.