Zbulohet krim i neveritshëm: Italianë që paguanin për të vrarë civilë në Bosnje gjatë luftës 1992-1996

Prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj disa italianëve që dyshohet se i kanë paguar anëtarët e ushtrisë serbe të Bosnjës për udhëtime në Sarajevë, me qëllim që të vrisnin civilë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit në vitet 1990.

Më shumë se 10.000 persona u vranë në Sarajevë nga bombardimet e pandërprera dhe zjarri i snajperëve midis viteve 1992 dhe 1996 – në rrethimin më të gjatë në historinë moderne – pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.

Snajperët ishin ndoshta elementi më i frikshëm i jetës nën rrethim në Sarajevë, pasi qëllonin rastësisht mbi njerëzit në rrugë, përfshirë edhe fëmijë, sikur të ishte ndonjë videolojë apo safari.

Grupet e italianëve dhe kombësive të tjera, të ashtuquajturit “turistë snajperë”, dyshohet se morën pjesë në masakra pasi kishin paguar shuma të mëdha parash ushtarëve të ushtrisë së Radovan Karaxhiçit – ish-udhëheqësit serb të Bosnjës, i cili në vitin 2016 u shpall fajtor për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit – për t’i transportuar në kodrat rreth Sarajevës, që të qëllonin mbi popullsinë për argëtim.

Sarajeva ndodhet në një luginë të rrethuar nga male, gjë që e bënte të lehtë rrethimin dhe sulmin ndaj saj.

Prokurorët e Milanos, të udhëhequr nga Alessandro Gobbi, kanë nisur një hetim për të identifikuar italianët e përfshirë, me akuza për vrasje të qëllimshme, të rënduar nga mizoria dhe motive të ulëta.

Hetimi ka origjinën nga një kallëzim ligjor i paraqitur nga shkrimtari milanez Ezio Gavazzeni, i cili ka mbledhur prova mbi akuzat, si dhe nga një raport i dërguar prokurorëve nga ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariç.

Gavazzeni tha se kishte lexuar për herë të parë raportime mbi “turistët snajperë” në shtypin italian në vitet 1990, por nisi të hetonte më thellë pasi pa dokumentarin Sarajevo Safari (2022) të regjisorit slloven Miran Zupaniç.

Në dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor pohuan se grupe perëndimorësh qëllonin mbi civilët nga kodrat përreth Sarajevës. Këto pretendime janë mohuar ashpër nga veteranët serbë të luftës.

“Sarajevo Safari ishte pika e nisjes,” tha Gavazzeni. “Fillova një korrespondencë me regjisorin dhe më pas e zgjeroja hetimin derisa mblodha mjaftueshëm material për ta paraqitur tek prokurorët e Milanos.”

Gavazzeni pretendoi se “shumë, shumë, shumë italianë” ishin të përfshirë, pa dhënë një numër të saktë. “Ka pasur gjermanë, francezë, anglezë… njerëz nga të gjitha vendet perëndimore që paguanin shumë para për të shkuar atje e për të qëlluar mbi civilë.”

Ai shtoi: “Nuk kishte motive politike apo fetare. Ishin njerëz të pasur që shkonin për qejf dhe për kënaqësi personale. Po flasim për njerëz që pëlqejnë armët, që ndoshta shkojnë në poligone ose në safari në Afrikë.”

Sipas tij, të dyshuarit italianë mblidheshin në qytetin verior të Triestes dhe udhëtonin për në Beograd, ku ushtarët serbë të Bosnjës i shoqëronin deri në kodrat e Sarajevës. “Kishte një trafik turistësh lufte që shkonin atje për të qëlluar njerëz,” tha ai. “Unë e quaj një indiferencë ndaj së keqes.”

Gavazzeni tha se kishte identifikuar disa prej italianëve të dyshuar, të cilët pritet të merren në pyetje nga prokurorët në javët e ardhshme.

Ndoshta viktimat më të njohura të zjarrit të snajperëve ishin Boško Brkić dhe Admira Ismić – një çift i dokumentuar në filmin Romeo dhe Zhulieta në Sarajevë – të cilët u vranë nga një snajper në vitin 1993 teksa përpiqeshin të kalonin një urë. Trupat e tyre mbetën për disa ditë në zonën neutrale midis pozicioneve të ushtrisë boshnjake dhe asaj serbe. Fotot e tyre u publikuan gjerësisht dhe u bënë simbol i rastësisë dhe çnjerëzimit të luftës.

Rruga kryesore që të çon në Sarajevë, Bulevardi Meša Selimović, u quajt “Rruga e Snajperëve” sepse ishte tepër e rrezikshme, por e paevitueshme – ishte rruga që çonte në aeroportin e qytetit. Autobusët e tramvajet kishin dritaret e thyera nga plumbat, dhe kudo kishte tabela paralajmëruese për snajperë.

Avokati Nicola Brigida, i cili ndihmoi Gavazzenin në përgatitjen e çështjes, tha: “Provat e grumbulluara pas një hetimi të gjatë [nga Gavazzeni] janë të mirëfillta dhe mund të çojnë në një hetim serioz për identifikimin e fajtorëve. Ka gjithashtu edhe raportin e ish-kryetares së Sarajevës.” /The Guardian/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button