Zbardhet marrëveshja/ Emiratet e Bashkuara Arabe do të investojnë 1.4 trilionë dollarë në SHBA për 10 vite

Emiratet e Bashkuara Arabe janë zotuar për një paketë investimi, në një hark kohor 10-vjeçar, prej 1.4 trilionë dollarë në Shtetet e Bashkuara. Paketa e investimeve erdhi pasi zyrtarët e lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe takuan Presidentin Donald Trump këtë javë, tha Shtëpia e Bardhë të premten.
Paketa financiare do të “rrisë ndjeshëm investimet ekzistuese të Emirateve të Bashkuara Arabe në ekonominë amerikane” në infrastrukturën e AI (inteligjencës artificiale), gjysmëpërçuesit, energjinë dhe prodhimtarinë, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë.
Shtëpia e Bardhë nuk ka shpjeguar se si investimet e Emirateve Arabe do të arrijnë në 1.4 trilionë dollarë, duke përfshirë disa nga marrëveshjet që janë zbuluar si pjesë e kuadrit dhe që janë njoftuar tashmë.
Marrëveshja e vetme plotësisht e re duket të jetë një investim nga Emirates Global Aluminium (EGA), tha Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se kjo paketë investimi “do të dyfishonte pothuajse prodhimin e aluminit në Shtetet e Bashkuara”, shkruan Reuters.
“Krijimi i një forni primar (pajisje industriale që përdoret për të shkrirë metalet, siç është alumini, duke i ekspozuar ato në temperatura të larta) për aluminin në SHBA ka qenë një nga ambiciet e EGA-së për disa vjet”, tha një zëdhënës i kompanisë në një deklaratë.
Emiratet e Bashkuara Arabe, një prodhues nafte dhe partner i gjatë i sigurisë së SHBA-së, po synon të thellojë lidhjet e investimeve me Uashingtonin dhe po shfaqet si një lider global në AI, një nga sektorët për të cilat po bën një sfidë për të diversifikuar ekonominë e saj larg energjisë.
Në shtator, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, u takua me ish-Presidentin e SHBA-së Joe Biden, në vizitën e parë të një presidenti të EBA-së në Shtëpinë e Bardhë, ku të dy liderët diskutuan thellimin e bashkëpunimit në fusha si AI, investime dhe eksplorimin e hapësirës.
Fondet e pasurisë sovrane të Gjirit, përfshirë Mubadalanë e Abu Dabit me 330 miliardë dollarë, janë tashmë investitorë të mëdhenj në SHBA, dhe Trump dhe familja e tij kanë lidhje biznesi me rajonin e pasur.
Takimi në Zyrën Ovale
Donald Trump në janar i kërkoi Arabisë Saudite të shpenzonte mbi 1 trilion dollarë në ekonominë e SHBA-së, brenda katër vjetëve, përfshirë blerje të pajisjeve ushtarake, dhe tha këtë muaj se mund të bëjë udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit në këtë vend të Gjirit për të vulosur një marrëveshje investimi.
Marrëveshja, e cila mund të ndodhë midis këtij muaji ose muajit tjetër, do të vijë në një kohë kur Arabia Saudite, ekonomia më e madhe e botës arabe, ka marrë një rol më të dukshëm në politikën e jashtme të SHBA-së. Ky vend i Gjirit është i gatshëm të presë bisedime diplomatike rreth Ukrainës që përfshijnë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë javën e ardhshme.
Shtëpia e Bardhë tha të premten se marrëveshja me Emiratet e Bashkuara Arabe ishte rezultat i një takimi që Trump pati të martën me këshilltarin për sigurinë kombëtare Sheikh Tahnoon bin Zayed Al Nahyan në Zyrën Ovale dhe një darkë që Zëvendëspresidenti JD Vance dhe disa anëtarë të kabinetit, patën me delegacionin e EBA-së, i cili përfshinte kryetarët e fondeve të pasurisë sovrane dhe korporatave kryesore të Emirateve Arabe.
Mes bashkëpunimeve të theksuara të premten ishte një partneritet mes fondit të pasurisë sovrane të EBA-së, ADQ, i cili është kryesuar nga Sheikh Tahnoon, dhe firmës amerikane të kapitalit privat Energy Capital Partners, për një iniciativë të përqendruar në SHBA me vlerë 25 miliardë dollarë për të investuar në infrastrukturën e energjisë dhe qendrat e të dhënave. Kjo ishte njoftuar dy ditë më parë.
Një angazhim nga XRG, krahu ndërkombëtar i investimeve të kompanisë shtetërore të naftës ADNOC të EBA-së, i nisur në nëntor, për të mbështetur prodhimin dhe eksportet e gazit natyror të SHBA-së me një investim në objektin e eksportit të gazit natyror të NextDecade në Teksas, ishte bërë publik vitin e kaluar nga ADNOC, gjatë administratës Biden.



