WFP: Rezervat ushqimore në Gaza janë shteruar për shkak të bllokadës

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) thotë se rezervat ushqimore në Gaza janë shteruar për shkak të mbylljes së vazhdueshme të pikave kufitare drejt enklavës.
“Asnjë ndihmë humanitare apo furnizim tregtar nuk ka hyrë në Gaza për më shumë se shtatë javë, pasi të gjitha pikat kryesore kufitare mbeten të mbyllura. Kjo është mbyllja më e gjatë që ka përjetuar ndonjëherë Rripi i Gazës, duke përkeqësuar më tej tregjet dhe sistemet ushqimore tashmë të brishta,” thuhet në deklaratën e WFP-së për gazetarët.
Që nga fillimi i marsit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndaloi dërgimin e ndihmave në Gaza, në një përpjekje që, sipas tij, synonte të ushtronte presion mbi Hamasin për të pranuar zgjatjen e fazës së parë të marrëveshjes për armëpushim – një marrëveshje që Izraeli e theu.