Vuçiqi i nervozuar me qeverinë pasi e përpiluan planin e zhvillimit me ChatGPT

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga qeveria draftet e planeve “Serbia 2030” dhe “Serbia 2035”, por sipas mediave në Beograd, propozimet që ka marrë dyshohet se janë hartuar me ndihmën e inteligjencës artificiale, ChatGPT, gjë që e ka nervozuar atë, ka raportuar “021.rs”.

Sipas gazetës “Novosti”, Vuçiqi pritet që sot të thërrasë kryeministrin Gjuro Macut dhe ministrat, duke u vendosur atyre afat që deri më 21 shkurt, kur ai të kthehet nga vizita në Indi, t’i paraqesin një propozim të ri programor.

“Nëse kjo nuk ndodh, presidenti Vuçiq do ta propozojë vetë këtë strategji dhe program. Dëshmitarët që ishin të pranishëm kur presidenti mori planin e krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale thonë se prej kohësh nuk e kanë parë kaq të zemëruar”, raporton gazeta beogradase.

Megjithëse lajmi është publikuar nga tabloide pranë qeverisë, deri tani as Vuçiq dhe as përfaqësues të qeverisë serbe nuk kanë reaguar zyrtarisht.

Vuçiqi kishte paralajmëruar më herët se planet e zhvillimit të Serbisë për vitet 2030 dhe 2035 do të publikohen deri më 1 mars, duke theksuar se çështja e rrjetit të furnizimit me ujë do të jetë një nga pikat kryesore të këtyre planeve.

Ai kishte deklaruar gjithashtu se “në plane dhe programe punojnë ekspertë dhe se asgjë nuk mund të bëhet pa plane adekuate”.

“Prandaj duhet të dalim sa më shpejt me një plan deri në vitin 2030 dhe një plan afatgjatë deri në vitin 2035, në mënyrë që qytetarët të shohin se çfarë do të bëjmë”, kishte thënë Vuçiqi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button