Vritet një grua tjetër në Kosovë, vrasësi bashkëshorti

Një grua është vrarë të martën në Pejë, e vrasja dyshohet se është kryer nga bashkëshorti i saj.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar rastin, duke njoftuar se vrasja ka ndodhur me armë zjarri.

I dyshuari është arrestuar e në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet relevante.

“Në Pejë ka ndodhur një rast i vrasjes, ku dyshohet se në një banesë në qendër të Pejës bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij. Aktualisht në vendin e ngjarjes është kryeprokurori, prokurori, krimet e rënda dhe të gjitha ekipet relevante. Po e presim Mjekësinë Ligjore për të marrë trupin e pajetë. Është arrestuar i dyshuari”, ka thënë Nikçi.

Policia ka njoftuar se rasti ka ndodhur në rrugën “Bill Clinton”.

“Sot rreth orës 08:15, Policia është informuar se në rrugën ‘Bill Clinton’ në Pejë, ka ndodhur një rast, Policia menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes gjithashtu edhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës (femër), i dyshuari këtij rasti është arrestuar dhe ndodhet ne objektet e Stacionit Policor në Pejë”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Gruaja e vrarë nga bashkëshorti i saj në Pejë është Gjyljeta Ukella, ndërsa bashkëshorti Edmond Lajçi.

Në një njoftim në Facebook, Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë, shpreh ngushëllimet, ndërsa e cilësojnë atë si një grua punëtore dhe të urtë.

Gjyljeta punonte si asistente në stomatologji, prej 20 vitesh.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vrasjen në Pejë e ka quajtur femicid që ka marrë përmasa të jashtëzakonshme.

Osmani nga Forumi për Gruan, Paqen dhe Sigurinë, bëri thirrje që të gjithë bashkë të angazhohen për ndaljen e vrasjeve te vajzave dhe grave në Kosovë.

Kjo është vrasja e dytë e një gruaje brenda pak ditëve në Kosovë.

Të premten (12 prill) është vrarë me armë zjarri një 21-vjeçare në Ferizaj në Qendrën për Punë Sociale./Koha

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button