Vritet me armë zjarri efektivi i Policisë në Fier, identifikohet autori

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të hënë (13 maj) në Baltëz të Fierit. Sipas njoftimeve të para nga vendngjarja, mësohet se një efektiv policie është qëlluar për vdekje me armë zjarri.
RTSH mëson se ka humbur jetën në vendngjarje, punonjësi i policisë Novruz Cenalia. Ende nuk dihet ende shkaku i vrasjes së tij, por policia ka identifikuar si autor të ngjarjes së rëndë Asllan Mernicën.
Burime për RTSH bëjnë me dije se polica po heton në dy pista lidhur me ngjarjen. E para ka të bëjë me hakmarrjen për shkak të profesionit të të atit të viktimës, që punon si polic në sallën operative të komisariatin e Fierit ,ndërsa pista tjetër është edhe përfshirja e mundshme e viktimës në një sherr momental.
Sakaq, policia ka mbërritur në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të saj dhe kapjen e autorit.
Pas ngjarjes së ndodhur në Fier policia e Vlorës në hyrje të qytetit në pikën lidhëse në autostradën Levan Vlorë ka nisur kontrollet e automjeteve. Jo vetëm policia e Vlorës por e angazhuar në kontrolle edhe FNSH. Fokusi i kontrolleve, automjetet që futen në Vlorë që mund të vijnë edhe nga Fieri.
Qëllimi i kontrolleve është evidentimi dhe arrestimi i autorit të vrasjes në Fier. Aktualisht policia ka gjetur të braktisur automjetin tip “Audi” ngjyrë blu me të cilën u largua autori i vrasjes.



