“Vrasja nga pakujdesia” e 27 vjeçarit në Lipjan, Sveçla: Jam thellësisht i prekur nga vdekja, pres të zbardhet e vërteta

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së një qytetari në Lipjan, i cili humbi jetën para mëngjesit të 7 korrikut gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës. Sveçla tha se sapo është informuar për rastin, ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së një qytetari në Lipjan, i cili humbi jetën para mëngjesit të 7 korrikut gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës. Sveçla tha se sapo është informuar për rastin, ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse.

“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan. Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës, si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi,” deklaroi Sveçla.

Ai konfirmoi se hetimet janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal dhe se bashkëpunimi institucional është kyç për zbardhjen e rastit.

“Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë,” u shpreh ai.

Ministri u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të të ndjerit dhe theksoi se drejtësia duhet të vihet në vend.

“Pres që sa më shpejt të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat, si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar,” shtoi Sveçla.

Duke theksuar rëndësinë e besimit qytetar ndaj Policisë së Kosovës, ai tha se ky besim duhet të ruhet përmes përgjegjësisë dhe transparencës.

“Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd, pasi besimi qytetar është jo vetëm vlerë, por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast,” përfundoi ministri Sveçla.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button