Vrasja në Shkup: Detajet, hetimi dhe gjendja e të plagosurve

Mosmarrëveshje verbale, zënkë fizike e më pas të shtëna me armë zjarri. Incidenti i përgjakshëm në Rrugën e Plastikave në Shkup mbrëmë para mesnate rezultoi fatal për të 29-vjeçarin Amar Ismani, i cili ndërroi jetë në Qendrën Klinike “Nënë Tereza”.

Ai u varros sot me qindra familjarë e dashamirë të cilët e përcollën me dhimbje.

Kush ishte Amar Ismani

Amar Ismani ishte këngëtar dhe bloger i njohur në Maqedoninë e Veriut, me disa bashkëpunime me artistë të tjerë. Në Instagram e ndiqnin 303 mijë persona. Disa nga këngët e tij të famshme ishin “Sjom mo”, “C’est la vie”, “Shawty”, “Ferrari”…

Një muaj më parë ai njoftoi se u fejua, ndërsa një foto të unazës e postoi në rrjetet sociale.

Policia në kërkim të autorëve

Ministria e Brendshme doli me versionin e parë zyrtar të ngjarjes gjatë ditës së sotme, ku vetëm konfirmon se nga të shtënat ka një viktimë dhe dy të tjerë janë të plagosur.

“Në ora 23:45 nga Spitali i Përgjithshëm i qytetit “Shën Naum Ohridski” është njoftuar se me plagë nga armë zjarri është sjellë 24 vjeçari T.A. nga Shkupi. Në orën 23:51, nga Kompleksi i Klinikës “Nënë Tereza” është raportuar se me plagë nga armë zjarri janë sjellë 19 vjeçari O.B dhe 29 vjeçari A.I, ku pas ndihmës së dhënë, në orën 00:45. A.I. ka ndërruar jetë”, thonë nga MPB.

Akoma nuk dihen motivet që çuan në incidentin tragjik, ndërsa policia po i kërkon autorët. Deri tani nuk ka arritur t’i arrestojë.

Të plagosurit në gjendje stabile

Gjendja e dy të plagosurve mësohet të jetë stabile. Njëri prej të plagosurve, pasi u operua në “Nënë Tereza”, është transferuar për kujdes intensiv në KARIL. I plagosuri tjetër u operua në ish-spitalin e qytetit, “Shën Naumi i Ohrit”.

“Është operuar pas ekzaminimeve. Plagë me armë zjarri në zonën e shpinës, pranë shtyllës kurrizore. U afrua menjëherë trajtimi kirurgjik, u krye një operacion. Pacienti ka qenë stabil sot në mëngjes”, thotë drejtori i spitalit, Luben Arsenij./Alfax.mk/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button