Vogëlushi nga Gaza në luftë për mbijetesë për shkak të urisë së imponuar nga Izraeli

Teksa numri i viktimave nga politikat çnjerëzore të urisë së imponuara nga Izraeli në Rripin e Gazës rritet çdo ditë, dyvjeçari palestinez Imad Musab Abu Freih po lufton për jetën e tij në Spitalin e Dëshmorëve Al-Aksa në Deir Belah, raporton Anadolu.

Ai ka humbur më shumë se gjysmën e peshës trupore për shkak të kequshqyerjes së rëndë, ndërsa trupi i tij i vogël ka marrë formë skeleti.

Gjendja e tij pasqyron vuajtjet e mijëra fëmijëve në Gaza që janë shtyrë drejt kushteve kritike shëndetësore nga uria në rritje e shkaktuar nga Izraeli, ndërsa mjekët paralajmërojnë se uria dhe kequshqyerja po përhapen me shpejtësi në gjithë territorin.

Agjencia e fëmijëve e OKB-së tha të enjten se kequshqyerja te fëmijët në Rripin e Gazës ka arritur nivele rekord në gusht, duke paralajmëruar se përshkallëzimi i vazhdueshëm ushtarak i Izraelit po i shkëput fëmijët nga trajtimi shpëtimtar.

“Përqindja e fëmijëve të identifikuar si të kequshqyer rëndë në kontrollet shëndetësore nëpër Gaza u rrit në 13,5 për qind në gusht, nga 8,3 për qind në korrik. Në Qytetin e Gazës, ku muajin e kaluar u konfirmua zyrtarisht gjendja e urisë, përqindja e fëmijëve të pranuar me kequshqyerje ishte edhe më e lartë – 19 për qind, nga 16 për qind në korrik”, thuhej në deklaratën e UNICEF-it.

Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell, raportoi gjithashtu se “në gusht, 1 në 5 fëmijë në qytetin e Gazës u diagnostikua me kequshqyerje akute dhe kishte nevojë për mbështetjen dhe trajtimin ushqimor shpëtimtar që ofron UNICEF-i”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, 413 persona persona kanë humbur jetën nga uria që nga tetori i vitit 2023, përfshirë 143 fëmijë.

Që prej 2 marsit, autoritetet izraelite kanë mbyllur plotësisht të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke e shtyrë popullsinë prej 2,4 milion banorësh drejt urisë së përgjithshme.

Ushtria izraelite ka vazhduar gjenocidin në Rripin e Gazës, duke vrarë mbi 64.700 palestinezë që prej tetorit 2023.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button