VMRO përgatit rezolutë: Jo migrantëve në Maqedoni të Veriut

VMRO-DPMNE ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut një propozim-rezolutë të titulluar “Rezoluta për dënimin e manipulimeve të opozitës dhe për konfirmimin e politikave kundër migrimit ilegal”.
Nga kjo parti bëjnë të ditur se me këtë rezolutë synohet t’i jepet fund, siç thonë ata, manipulimeve dhe fushatës së organizuar të opozitës, e cila sipas tyre ka shkaktuar pasiguri dhe panik te qytetarët lidhur me çështjen e migrantëve.
“Skemat e rreme të LSDM-së bien poshtë. Shteti ka politikë të qartë kundër migrimit ilegal. Nuk ka dhe nuk do të ketë kampe për migrantë. Kjo rezolutë sjell stabilitet dhe siguri”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Partia në pushtet thekson se me këtë dokument dënohen politikat dhe vendimet e ish-Qeverisë së udhëhequr nga Zoran Zaev, të cilat, sipas tyre, kanë hapur mundësi për krijimin e kampeve të migrantëve, në kundërshtim me interesat kombëtare dhe shtetërore.
Rezoluta përbëhet nga nëntë pika dhe parasheh dënimin e dezinformatave për pranimin e migrantëve dhe ndërtimin e kampeve, konfirmimin se politika të tilla nuk ekzistojnë dhe nuk do të ekzistojnë, si dhe shfuqizimin e të gjitha marrëveshjeve dhe aranzhimeve të mëparshme të Qeverisë së Zaevit që lidhen me migrantët.
Po ashtu, në dokument bëhet thirrje për komunikim të përgjegjshëm publik, mbrojtje të sigurisë, stabilitetit dhe marrëdhënieve ndëretnike, ndërsa theksohet se përhapja e qëllimshme e dezinformatave do të sanksionohet në përputhje me ligjet në fuqi.
Nga VMRO-DPMNE theksojnë se rezoluta vendos një politikë të qartë shtetërore kundër migrimit ilegal dhe hyn në fuqi menjëherë pas miratimit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button