VLEN: Trashëgimia kulturore shqiptare është pasuri kombëtare, Sulejmani në mbylljen e festivalit “Këngë Jeho” në Strugë

Në qytetin e Strugës, buzë Drinit të bukur, u përmbyll me sukses edicioni i 34-të i festivalit tradicional të muzikës burimore “Këngë Jeho”. Në mbylljen solemne të kësaj ngjarjeje me rëndësi kulturore dhe identitare, mori pjesë edhe zëvendësministri i Kulturës nga radhët e VLEN, Sedat Sulejmani.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Sulejmani theksoi rëndësinë që ka promovimi dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore shqiptare, sidomos nëpërmjet festivaleve si “Këngë Jeho”, të cilat jo vetëm që ringjallin vlerat e muzikës sonë tradicionale, por edhe forcojnë ndërlidhjet ndërkulturore dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.
“Kam kënaqësinë t’ju përshëndes këtu, buzë Drinit të bukur të Strugës, në këtë edicion të 34-t të Festivalit ‘Këngë Jeho’ një festë e gjallë e trashëgimisë sonë kulturore, që ka fituar zemrat e publikut brenda dhe jashtë vendit. Ky festival është dëshmi e vlerave tona artistike dhe e bashkimit përmes kulturës. Falënderoj organizatorët për përkushtimin dhe ju siguroj për mbështetjen tonë të vazhdueshme, veçanërisht në edicionin jubilar të vitit të ardhshëm”, u shpreh zëvendësministri Sulejmani.
Në këtë festival morën pjesë artistë dhe grupe muzikore nga vende të ndryshme si Paraguai, Turqia, Bullgaria, Kosova, Shqipëria, si dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV, përkrah shoqërive kulturore nga mbarë vendi.
Ngjarja u përmbyll me një program të pasur artistik dhe me një pjesëmarrje të gjerë të publikut, duke dëshmuar edhe një herë se kultura është ura më e fortë që lidh njerëzit dhe kombet.
VLEN riafirmon përkushtimin e tij të palëkundur për ruajtjen, zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e kulturës shqiptare, si pjesë e pandashme e identitetit dhe barazisë institucionale në Maqedoni.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button