VLEN: Shqiptarët nuk janë vegël, shqiptarët janë ligj

Përfaqësuesi i koalicionit VLEN, Astrit Iljazi, deklaroi se Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat sjell rregull të ri në institucionet e shtetit dhe i jep fund, siç tha ai, manipulimeve që kanë ndodhur ndër vite.
Iljazi theksoi se për më shumë se dy dekada parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat ka qenë vetëm në letër dhe nuk është shndërruar në ligj të mirëfilltë.
“Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues, mirëpo për një çerek shekulli asnjëherë nuk u bë ligj. Kemi pasur arnime dhe asgjë tjetër”, deklaroi ai.
Sipas tij, mungesa e një ligji ka lejuar manipulime politike dhe keqpërdorime në procesin e punësimeve.
“Pa ligj, BDI e kishte më lehtë të manipulonte. Pa ligj, e kishte më lehtë ta mbante shqiptarin peng me mashtrime. Shqiptari i ka parë të gjitha – si punësohen njerëz pa meritë, si të tjerët lihen jashtë edhe pse e meritonin dhe si kërkohen para për një vend pune që u takon”, tha Iljazi.
Ai shtoi se me miratimin e ligjit të ri vendoset për herë të parë një mekanizëm konkret për zbatimin e përfaqësimit të drejtë.
“Me Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, për herë të parë vendoset rregull për të gjithë. Për herë të parë formohet trup koordinativ, në krye me zëvendëskryeministër shqiptar, që do ta ndjekë zbatimin e ligjit dhe do të kërkojë llogari nga çdo institucion”, u shpreh Iljazi.
Në fund, ai theksoi se ligji nuk është për interesa partiake, por për të gjithë shqiptarët që presin trajtim të barabartë në institucione.
“Ky ligj nuk është për një parti. Ky ligj është për çdo shqiptar që ka pritur me vite të trajtohet si duhet. Veglën e zëvendësuam me ligj, sepse shqiptarët nuk janë vegël. Shqiptarët janë ligj”, deklaroi Iljazi.



