VLEN paralajmëron revolucion social: Çerdhe të reja dhe rritje historike pagash për punonjësit socialë

Në një konferencë për media, përfaqësuesi i VLEN-it, Fatmir Sabriu, njoftoi një sërë masash që, sipas tij, shënojnë një moment historik për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

“VLEN sot sjell jo vetëm lajme, por një revolucion social që shqiptarët dhe gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut e kanë pritur për dekada të tëra!” – deklaroi Sabriu.

Ai theksoi se, nën udhëheqjen e Ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, janë nënshkruar marrëveshje të rëndësishme me tetë komuna, të cilat do të kthehen menjëherë në projekte konkrete për qytetarët.

“Për herë të parë në histori, Hasanbegu në Komunën e Gazi Babës dhe Çellopeku në Komunën e Bërvenicës do të kenë çerdhet e tyre publike! Ky nuk është thjesht një objekt ndërtimi, por është jetë e re, është shpresë dhe dinjitet për prindërit e rinj dhe për fëmijët tanë, të cilët janë ardhmëria e vendit,” – u shpreh Sabriu.

Një tjetër lajm i rëndësishëm ishte nënshkrimi i një Marrëveshjeje të re Kolektive me sindikatat AOJSHQ dhe SASHK.

“Për herë të parë, punonjësit e sistemit të mbrojtjes sociale marrin një rritje historike prej 20% të pagave, përfshirë edhe drejtorët e institucioneve sociale. Ky është një mesazh respekti dhe mirënjohjeje për punonjësit socialë, që janë heronj të përditshëm të shoqërisë sonë,” – tha ai.

Sabriu theksoi se kjo është vetëm nisja e një procesi më të gjerë reformash:

“Ky është vetëm fillimi. VLEN ka një mision të qartë: të ndërtojë një shtet social të drejtë, human dhe të barabartë për të gjithë qytetarët. Beso me zemër! Sepse kur vepron me zemër, ndryshimi është i pashmangshëm.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button