VLEN merr vendim historik për administratën publike: Shfuqizohen titujt diskriminues ndaj shqiptarëve

Zëvendëskryeministri Arben Fetai ka njoftuar sot një vendim historik që, sipas tij, korrigjon një padrejtësi të madhe ndaj shqiptarëve në administratën shtetërore. Në një konferencë për media, Fetai tha se titujt “bashkëpunëtor i ri” dhe “referent i ri”, që sipas tij për dekada kanë qenë mjet diskriminimi sistematik ndaj shqiptarëve, do të shfuqizohen përgjithmonë.

“Nuk ka më bashkëpunëtor të ri, nuk ka më referent të ri! Këto janë vendime për dinjitetin e nëpunësve shqiptarë, për të kthyer drejtësinë e mohuar për 22 vite me radhë”, deklaroi Fetai.

Vendimi hyn në fuqi më 1 janar 2026 dhe përfshin:

Avancim automatik të të gjithë të punësuarve me titullin “bashkëpunëtor i ri” në “bashkëpunëtor”;

Ata me titullin “bashkëpunëtor” kalojnë në “bashkëpunëtor profesional”;

“Referentët e rinj” dhe “referentët” me arsim të mesëm do të avancohen në “referent i lartë”;

Titulli “referent i lartë” zëvendësohet me “referent i pavarur”.

“Të gjitha këto ndodhin automatikisht, pa procedura shtesë, me fuqinë e ligjit. Kjo nuk është vetëm drejtësi administrative, por një korrigjim i një padrejtësie historike. Është politikë me integritet”, theksoi Fetai.

Ai akuzoi BDI-në se për dy dekada ka ndërtuar një sistem të bazuar në “improvizime dhe zgjidhje kozmetike”, duke e përdorur administratën si “makineri votimi”, pa i trajtuar shqiptarët me dinjitet.

“Njerëz të shkolluar e me përvojë mbetën të bllokuar në pozitën më të ulët vetëm sepse ishin shqiptarë. BDI-ja kishte gjithë kohën ta bënte këtë, por nuk deshi ose nuk mundi. VLEN e bëri brenda vitit të parë të qeverisjes”, tha ai.

Fetai përmbylli deklaratën me një mesazh të qartë: “Koha e nënçmimit ka përfunduar. Tash është koha e respektit dhe e barazisë. Sepse për ne, barazia nuk është slogan, por thelbi i pushtetit.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button