VLEN me të dhëna të reja: Ja milionat e lotarisë mes Artan Grubit e familjarëve të Elmi Azirit
Koalicioni VLEN shpalosi sot siç thanë, zbulime të reja për krimin e Frontit Evropian dhe BDI-së.
“Sot fillojmë me një seri konferencash për shtyp, ku do t’i prezantojmë opinionit informacione që përbëjnë dyshime të bazuara për korrupsion politik, në regji të figurave të shquara të ashtuquajturit Front Europian, me në krye Ali Ahmetin dhe Ziadin Selën.
Bëhet fjalë për skandale serioze, të cilat ndër të tjera do të zbulojnë metodat me të cilat BDI dhe Artan Grubi kanë vepruar për të siguruar ndikim politik, ku ky i fundit ka qenë zbatuesi direkt i të gjitha skenarëve të korrupsionit politik.
Në këtë konferencë për shtyp do të publikojmë informacione për tenderët e fituar nga kompania e lidhur familjarisht me deputetin e Frontit Europian, Elmi Aziri, i cili ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të koalicionit mes Ziadin Selës dhe Ali Ahmetit.
Artan Ajruli paraqitet si pronari i kompanisë RITRON KOPI DOOEL, import-eksport Kumanovë, i cili është nipi i bashkëshortes së Elmi Azirit.
Kjo kompani gjatë vitit 2022, për vetëm tre muaj ka fituar dy furnizime publike në Lotarinë Shtetërore ku drejtor ka qenë Përparim Bajrami, dora e djathtë e Artan Grubit.
Furnizimet kanë të bëjnë me pajisje kompjuterike, stacione grafike dhe TV për tërheqjen e lotarisë, si dhe televizorë për instalimin e lojërave elektronike.
Vlera totale vetëm për këto dy furnizime përmes Lotarisë Shtetërore, së bashku me anekset, arrin rreth 3 milionë denarë.
Vini re, këto janë informacione vetëm nga një institucion.
Ky informacion skandaloz është konfirmim i drejtpërdrejtë se BDI ka sunduar si organizatë kriminale në rrjetin e së cilës janë kapur ata që politikën e perceptojnë si mundësi për pasurim personal dhe familjar.
Të nderuar, shihni pra ironinë!
Kuadrot e Ziadin Selës dhe Ali Ahmetit, të cilët gjatë ditës në mënyrë të rreme mbrojnë qytetarët nga lojërat e fatit, kanë përfituar pikërisht nga bizneset me kazinotë.
Kryetari i degës në Bogovinë, Safet Miftari, është arrestuar për organizim kriminal të lojërave të fatit në internet, kompania familjare e deputetit Elmi Aziri ka marrë tenderë nga Lotaria Shtetërore.
Mezi presim që Fronti Europian të dalë më në fund në mejdan me anëtarësinë e tyre. Na intereson shumë kur do t’u shpjegojnë se mijëra njerëz i lanë pa status profesional të zgjidhur, vetëm për t’i shantazhuar për vota para zgjedhjeve, ndërsa funksionarët e tyre grabisnin çdo gjë që u vinte në dorë.
Pason përgjegjësia, drejtësia do të arrijë të gjithë ata që kanë mëkatuar para ligjeve.
Do të ketë përgjegjësi; drejtësia do t’i arrijë të gjithë ata që kanë shkelur ligjet”, shpjegojnë në detaje nga VLEN.