VLEN Likovë denoncon nepotizmin e kryetarit të komunës: 24 familjarë të punësuar në institucione publike

Në një konferencë për media, përfaqësues të Koalicionit VLEN-Likovë kanë denoncuar një skemë të gjerë nepotizmi në krye të komunës, të udhëhequr nga kryetari aktual, Erkan Arifi. Sipas tyre, më shumë se 24 anëtarë të familjes së ngushtë të Arifit janë punësuar dhe sistemuar në institucione publike në Likovë dhe Kumanovë.

“Ndërsa fëmijët e dëshmorëve po emigrojnë nga vendi për shkak të mungesës së mundësive, familjarët e kryetarit janë siguruar me punë të garantuara në institucione publike,” thanë përfaqësuesit e VLEN-it, duke theksuar se ky është “një veprim i padrejtë dhe çnjerëzor” që ua mbyll dyert qytetarëve të aftë dhe të ndershëm.

Në listën e bërë publike nga VLEN, përfshihen punësime në shkolla, polici, gjykata, ministri dhe institucione shëndetësore, ku shumica e të punësuarve kanë lidhje të afërta familjare me kryetarin Arifi.

“Në vend që komuna të sigurojë ujë të pijshëm, zhvillim dhe punësim për të gjithë, ajo është shndërruar në një çerdhe për financimin e familjes së Erkan Arifit,” thuhet në deklaratë.

VLEN kujtoi gjithashtu se pak ditë më parë kishte denoncuar ndarjen e tenderëve publikë përmes lidhjeve familjare të Arifit, ndërsa tani publikoi edhe provat për punësimet nepotike.

“Është koha që Likova t’u kthehet qytetarëve. Pashallëku familjar i Erkan Arifit përfundon më 19 tetor,” u tha në konferencë.

Kandidati i VLEN-it për Likovën, Nexhmedin Sadiku, premtoi se pas 19 tetorit do të sigurojë transparencë të plotë në punësime, do të krijojë një komision të pavarur rekrutimi dhe do të garantojë që vendet e punës t’u takojnë atyre që e meritojnë, jo kushërinjve të pushtetit.

“Më 19 tetor, Likova zgjedh zhvillimin, ujin e pijshëm, mirëqenien dhe infrastrukturën për të gjithë,” përfundoi deklarata.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button