VLEN denoncon regjistrimin e vitit 2021 si mashtrimin më të madh institucional ndaj shqiptarëve: Tradhti, jo statistikë!

Në një konferencë për media të mbajtur sot, kryetari i Komunës së Zhelinës dhe përfaqësues i koalicionit VLEN, Blerim Sejdiu, hodhi akuza të rënda ndaj Entit Shtetëror të Statistikave dhe partisë në pushtet BDI për manipulime të qëllimshme gjatë regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, duke e cilësuar atë si një projekt politik për të minimizuar numrin e shqiptarëve në vend.

“Ky nuk ishte një proces statistikor. Ky ishte projekt politik, i ideuar për të zvogëluar shqiptarët në letra, për t’i fshirë nga statistikat, për t’i nxjerrë jashtë vendimmarrjes”, deklaroi Sejdiu.

Ai akuzoi BDI-në dhe LSDM-në për bashkëpunim në këtë proces të cilin e quajti “një nga padrejtësitë më të mëdha institucionale që i është bërë ndonjëherë popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut”.

Sejdiu kritikoi fort ndarjen mes “rezidentëve” dhe “jorezidentëve”, që sipas tij ishte një taktikë për të përjashtuar shqiptarët e diasporës nga statistikat zyrtare, me qëllim të uljes artificiale të përqindjes së tyre në popullsi.

“Diaspora jonë, që e ka mbajtur në këmbë ekonominë e këtij vendi për dekada, u trajtua si e padukshme, si statistikisht e pavlefshme, si problem për t’u shmangur,” tha ai.

Duke theksuar se BDI nuk kishte kontroll mbi mërgatën dhe nuk mund t’i manipulonte votat e saj, Sejdiu theksoi se kjo ishte arsyeja e etiketimit të saj si “jorezidente”.

VLEN ngre shqetësime për mospërputhje të mëdha mes të dhënave të regjistrimit dhe votave të realizuara në zgjedhjet e fundit. Sejdiu solli si shembull fshatra ku numri i votuesve tejkalon atë të banorëve të regjistruar.

“Si është e mundur që në Zhelinë të ketë 3432 banorë dhe 4103 votues? Apo në Strimnic të ketë 1937 banorë të regjistruar dhe 2644 votues? A ka përdorur BDI lista të fryra për të mbushur kutitë?”, pyeti ai.

Ai gjithashtu vuri në pah skandalin e 132.000 personave të futur në regjistrim nën kategorinë “të dhëna nga burime administrative”, duke e quajtur këtë “kategori fantazmë”, me të cilën janë rritur numrat e grupeve të tjera etnike, ndërsa shqiptarët e diasporës janë përjashtuar.

“Gjykata Kushtetuese, para dy ditësh, e rrëzoi këtë mashtrim të ligjshëm, duke shpallur antikushtetuese ndarjen ‘rezident/jorezident’. Kjo është fitore e së vërtetës, dhe dënim moral për tradhtarët e interesit kombëtar”, theksoi Sejdiu.

Duke e përmbyllur deklaratën, ai përsëriti përkushtimin e VLEN për një përfaqësim të drejtë dhe të barabartë të shqiptarëve në vend.

“Regjistrimi i vitit 2021 nuk ishte dështim, ishte TRADHTI. Por sot, kjo skemë është rrëzuar. Dhe jo, as Soravia, as klanet e Reçicës, nuk do ta shpëtojnë dot më gënjeshtrën”.

“Unë jam me mërgatën, unë jam rezident”, përfundoi Sejdiu.

VLEN bën thirrje për riregjistrim të diasporës dhe përfshirjen e saj në mekanizmat përfaqësues, si dhe paralajmëron se nuk do të ndalet derisa padrejtësitë të korrigjohen.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button