VLEN: Bujar Osmani, kalorësi i fundit i Nikolla Gruevskit

Përfaqësuesi i VLEN-it, Arbnor Maliqi, në një konferencë për media akuzoi ashpër ministrin e jashtëm në largim, Bujar Osmani, duke e quajtur atë “kalorësi i fundit i Nikolla Gruevskit”.

“Gënjeshtrat e Bujar Osmanit kanë kaluar çdo kufi, e vërteta tashmë nuk mund të fshihet. Është bërë krejtësisht e qartë se gjatë gjithë karrierës së tij politike, Osmani jo vetëm që nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet e dhëna, por ka përdorur vazhdimisht gënjeshtra dhe manipulime për të mashtruar qytetarët shqiptar,” deklaroi Maliqi.

Ai renditi disa raste ku, sipas tij, Osmani ka mashtruar opinionin:

“Bujar Osmani gënjeu lidhur me takimin me ish-kryeministrin Nikola Gruevski. Ai publikisht e mohoi, ndërkohë që tashmë ekzistojnë dëshmi të qarta që e vërtetojnë të kundërtën.”

“Ai gënjeu për kontaktet e tij me udhëheqësit shtetërorë të Serbisë. Janë dokumentuar të paktën 11 takime për të cilat asnjëherë nuk ka informuar opinionin publik.”

“Osmani gënjeu edhe për hyrjen e kapitalit serb në sektorin e telekomunikacionit. Pikërisht gjatë mandatit të tij u dha leja për kompaninë MTEL, që sot vepron në tregun maqedonas.”

“Ai vazhdimisht gënjeu për ndërtimin e rrugës drejt pikës kufitare në Bllacë, një premtim i përsëritur në çdo fushatë.”

Maliqi theksoi se VLEN kërkon përgjigje publike për marrëveshjet e dyshimta në telekomunikacion dhe industrinë e lojërave të fatit:

“Pse Bujar Osmani refuzon të japë shpjegime për personat dhe interesat që qëndrojnë pas këtyre marrëveshjeve? A kanë lidhje vizitat e tij të shpeshta në Serbi me këto vendime?”

Ai shtoi se mbështetja e Osmanit për nismën “Ballkani i Hapur” është tregues i lidhjeve të tij me Beogradin.

“Ai nuk është viktimë e rrethanave, por pjesëmarrës aktiv dhe i vetëdijshëm në këto zhvillime. Sot, Osmani përfaqëson më shumë interesat e Gruevskit, Mijallkovit dhe Beogradit sesa ato të qytetarëve shqiptarë.”

Në fund, Maliqi i bëri thirrje Osmanit që të përballet me të vërtetën:

“Të pranojë përgjegjësinë për veprimet e tij dhe të tërhiqet nga jeta politike, ose të mbetet përgjithmonë i njohur si figura që punoi kundër interesave të popullit shqiptar dhe në dobi të qarqeve që e kanë dëmtuar rëndë shtetin.”

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button