VLEN: BDI u përpoq të fshijë mërgatën shqiptare, Kushtetuesja ua rrëzoi manipulimin!

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmon atë që ne në VLEN e kemi thënë me kohë: regjistrimi i fundit i popullsisë, i udhëhequr nga qeverisja e atëhershme BDI-LSDM, ishte një ndër veprimet më të dëmshme dhe fyese për diasporën shqiptare!
Qeverisja e kaluar, përmes Entit të Statistikave dhe në koordinim të plotë me strukturat politike të BDI-së, krijoi kategori “popullsi rezidente” dhe “jorezidente”, duke i trajtuar mërgimtarët tanë si qytetarë të dorës së dytë. Kjo ishte akt i qëllimshëm politik për ta minimizuar peshën reale të shqiptarëve në shtet.
Kjo ishte përpjekje për ta zhbërë kontributin dhe peshën politike të diasporës shqiptare, për interesa të ulëta partiake. Në një përpjekje të dëshpëruar për të larë duart nga përgjegjësia, BDI nxjerr një deputet për të mbrojtur padrejtësinë që ia bëri mërgatës shqiptare, me argumente të stërholluara por të zbrazëta.
Ne në VLEN e themi qartë: dëmi është bërë, por ne do ta korrigjojmë kudo ku është e mundur! Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është fitore e së drejtës, fitore e diasporës shqiptare dhe dëshmi se shteti nuk mund të sillet me arrogancë ndaj qytetarëve të vet.
VLEN është i përkushtuar që të vendos dinjitetin e mërgatës shqiptare, ta përfshijë plotësisht në jetën politike e institucionale dhe të korrigjojë çdo padrejtësi të trashëguar nga qeverisjet e kaluara.