VLEN: BDI po bllokon qëllimisht funksionimin normal të Kuvendit

Koalicioni VLEN, në një konferencë për media, ka akuzuar Frontin Evropian, të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim, për sjellje destruktive dhe bllokim të proceseve parlamentare, duke theksuar se po politizohen procedura që janë tërësisht teknike dhe të rregulluara me rregulloren e Kuvendit.

“Sot jemi këtu për një arsye shumë të qartë. Fronti Evropian po sillet në mënyrë tërësisht destruktive ndaj çështjeve që janë krejtësisht normale, teknike dhe të rregulluara qartë me procedurë parlamentare”, u tha në konferencë.

Nga VLEN theksuan se verifikimi i mandatit të një deputeti nuk është çështje politike, por një procedurë automatike institucionale. “Verifikimi i mandatit të një deputeti nuk është çështje politike, as çështje shumice apo pakice, por procedurë formale dhe automatike e Kuvendit”, u shprehën përfaqësuesit e koalicionit.

Sipas tyre, refuzimi i votimit për verifikimin e mandateve përbën rrezik serioz për funksionimin demokratik të shtetit. “Mosvotimi apo votimi kundër verifikimit të një mandati është absurd dhe i rrezikshëm për funksionimin demokratik të shtetit”, u theksua në deklaratë.

VLEN solli si shembull rastet e deputetes Valbona Adili Emini dhe deputetit Zeqirja Tairi, të cilët, sipas tyre, u përballën me bllokim të panevojshëm nga opozita. “Në të dy rastet, opozita zgjodhi ta politizojë një procedurë teknike, duke krijuar konfuzion të panevojshëm te qytetarët”, u tha më tej.

Koalicioni kritikoi gjithashtu qëndrimin e Frontit Evropian ndaj reformave në drejtësi. Duke iu referuar miratimit të Ligjit për Këshillin Gjyqësor më 29 dhjetor, VLEN theksoi se ky ligj nuk u mbështet nga BDI, ndonëse synon forcimin e pavarësisë dhe transparencës së sistemit gjyqësor.

“Ky ligj vendos themelet për një Këshill Gjyqësor të fortë, të pavarur dhe transparent, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor”, u shprehën nga VLEN.

Sipas tyre, edhe më 12 janar, Fronti Evropian nuk i mbështeti dy propozimet e Presidentes për anëtarë të Këshillit Gjyqësor, pavarësisht se bëhej fjalë për kandidatë me kredenciale të larta profesionale.

“Ne nuk e hapim këtë temë për emra apo përkatësi etnike. Thelbësore është hipokrizia politike e atyre që flasin për institucione funksionale, por në praktikë bllokojnë çdo proces që nuk kontrollohet prej tyre”, deklaruan nga koalicioni.

Në fund, VLEN bëri të ditur se do të vazhdojë të insistojë në respektimin e ligjit dhe funksionimin normal të institucioneve. “Do ta denoncojmë publikisht, sa herë që është e nevojshme, çdo sjellje destruktive që dëmton interesin publik dhe rendin demokratik”, përfundon deklarata.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button