VLEN: BDI-në si ndotësit më të mëdhenj i larguam nga mjedisi, tani radhën e kanë grimcat pm10!
VLEN reagojnë se për periudhën kur BDI ishte në pozitë, disa here ka qeverisur me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor por që nuk kanë vepruar ndonjëherë dhe tani paraqiten si mbrojtës të mjedisit. E për reagimet e BDI-së në lidhje me ndotjen e ajrit, VLEN tha se ata nuk janë kujdesur asnjëherë për qytetarët ndërsa tani, thonë se janë duke ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e problemeve të kamotshme
“BDI, partia që për dy dekada mbajti peng jetën e qytetarëve si rezultat i paaftësisë dhe korrupsionit të saj, sot guxon të kritikojë dhe me hipokrizi të paraqitet si mbrojtëse e mjedisit jetësor. Kjo parti që drejtonte institucionet shtetërore dhe kërcënonte të ardhmen e qytetarëve tanë, tani flet për “veprime urgjente” dhe “kujdesin për shëndetin”. Por pyetja është – ku ishin ata 20 vitet e fundit? Atëherë a nuk ishte koha për veprime të menjëhershme dhe kujdes shëndetësor? Atëherë për çfarë ishte koha? Për kazinotë, për qendrat tregtare?
Derisa ata ishin në pushtet, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor disa herë menaxhohej nga kuadro të BDI-së. Për 12 vjet. Çfarë bënë ata? Ata lanë deponi në Tetovë, Kërçovë, Strugë – bomba të vërteta ekologjike që ndotin ajrin, ujin dhe tokën edhe sot. Kjo është trashëgimia e tyre – ndotja, neglizhenca dhe korrupsioni. Ata lane deponitë në të gjithë vendin. Ata nuk zgjidhën një çështje të vetme të rëndësishme të mbrojtjes së mjedisit.
BDI-së nuk janë kujdesur për qytetarët as si pushtet e as tani si opozitë. Reagimi i tyre nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e lire për manipulim dhe defokusim nga përgjegjësia e tyre. Ndryshe, Qeveria dhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, nën udhëheqjen e Izet Mexhitit, tashmë janë duke ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e problemeve të kamotshme të lëna nga BDI.
Ndërsa ishte në pushtet BDI promovoi një agjendë qesharake të gjelbër. Ali Ahmeti dhe Artan Grubi të japin një përgjigje se ku janë frytet e agjendës së tyre të gjelbër. Kush përfitoi nga agjenda e tyre e gjelbër? BDI ka drejtuar Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga viti 2011 deri në vitin 2023. Janë 12 vite të tëra. Nga 12 vitet e tyre rezultatet janë zero dhe nuk janë të krahasueshme me të gjitha ato që janë ndëmarrë në vetëm 5 muajt tanë.
Në një kohë kur spitalet po mbushen me qytetarë që vuajnë nga efektet e ndotjes, qeveria po punon për të forcuar monitorimin e cilësisë së ajrit dhe do të investojë në zgjidhje për energji të pastër. Derisa BDI krijoi deponitë, sot ato po pastrohen dhe mbyllen dhe po punohet në projekte për zbatimin e sistemeve moderne të menaxhimit të mbeturinave. BDI nuk ka legjitimitet të flasë për mjedisin, sepse 20 vitet e tyre në pushtet kanë dëshmuar të kundërtën. Qytetarët e dinë se kush është përgjegjës për krizën që trashëguam, por e dinë edhe kush po punon tani për zgjidhje reale. Kujdesi për shëndetin e qytetarëve është prioritet i kësaj Qeverie dhe ata që lanë kaos, deponitë dhe korrupsionin do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre – para qytetarëve dhe histories”, shkruajnë nga VLEN