(VIDEO) VLEN bëhet zëri i historisë sonë, shkolla në Hasanbeg merr emrin “22 nëntori”

VLEN, si forca më përfaqësuese, më e zëshme dhe më e vendosur në mbrojtjen e interesave kombëtare shqiptare, vazhdon të sjellë ndryshime domethënëse dhe historike në vendin tonë. Sot, me kënaqësi dhe krenari të veçantë, përshëndesim vendimin e Këshillit të Komunës së Gazi Babës për ndryshimin e emrit të Shkollës Fillore “25 maji” në Hasanbeg, që tani e tutje do të mbajë emrin “22 nëntori”.
Ky vendim është fryt i një pune të përkushtuar dhe një përpjekjeje të vazhdueshme nga përfaqësuesit tanë në institucione, dhe veçanërisht me shtytjen e Kryeparlamentarit, Afrim Gashi, i cili jo vetëm që vjen nga Hasanbegu, por është edhe ish-nxënës i kësaj shkolle. Ai, bashkë me ekipin e VLEN-it, po dëshmojnë çdo ditë se kur politika është në shërbim të qytetarëve, ndryshimet e mëdha janë të mundshme.
Me këtë vendim, përfundimisht i jepet fund një emërtimi me ngarkesë jugosllave dhe i kthehet shkollës identiteti i merituar kombëtar shqiptar. “22 Nëntori” nuk është thjesht një date, është simbol i gjuhës shqipe dhe i qëndresës sonë arsimore e kombëtare.
VLEN do të vazhdojë me të njëjtin vizion të qartë: ta çrrënjosë çdo mbetje të së kaluarës që mohon identitetin shqiptar dhe ta ndërtojë të ardhmen mbi dinjitetin, krenarinë dhe historinë tonë të lavdishme.