(VIDEO) Rrahje në mes studenteve në hapësirat e UT-së?

Një përleshje masive mes studentëve ka ndodhur para tre ditësh në ambientet e brendshme të Universitetit të Tetovës, duke tronditur opinionin publik dhe nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Pamjet e dhunës fizike, të publikuara në rrjetet sociale, tregojnë skena kaotike me grushte, përplasje trup më trup dhe britma, në mes të korridoreve të universitetit, ndërsa asnjë përfaqësues i sigurisë apo stafi administrativ nuk duket të ndërhyjë.
Burime të paverifikuara pretendojnë se konflikti ka nisur pas një mosmarrëveshjeje personale mes disa studentëve, që më pas ka degjeneruar në përleshje të dhunshme kolektive.
Sipas dëshmitarëve, situata ka zgjatur disa minuta dhe ka krijuar panik tek studentët e tjerë që ndodheshin aty. Deri më tani nuk raportohet për të lënduar seriozisht, por për momentin mbeten të paqarta pasojat ndaj personave të përfshirë.
Pavarësisht seriozitetit të ngjarjes, deri tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga drejtuesit e Universitetit të Tetovës, ndërsa incidenti nuk është adresuar as nga institucionet përgjegjëse për sigurinë në arsimin e lartë. Situata mbetet pa sqarime, ndërsa pamjet e dhunës vazhdojnë të qarkullojnë në rrjetet sociale.