(VIDEO) Dy shtetas të RMV-së kapen me 137 kilogramë marihuanë në pikën kufitare me Bullgarinë
Në pikën kufitare Gjueshevo janë kapur dy shtetas të RMV-së me 137 kilogramë marihuanë, raportuan dje mediat bullgare.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit në Qustendil, po zhvillohet një hetim për kontrabandë të lëndëve narkotike përmes kufirit – një vepër penale sipas nenit 242, paragrafi 2, lidhur me nenin 20, paragrafi 2 të Kodit Penal.
“Më 18 dhjetor 2024, rreth orës 22:30, në hyrjen për kamionë të pikës kufitare Gjueshevo arritën dy automjete të ngarkesave me targa të RMV-së, të ngarkuara me minerale për në Turqi. Inspektorët doganorë përzgjodhën mjetet për kontroll të detajuar. Në rimorkion e kamionit të dytë u gjetën ndarje të fshehta të punuara posaçërisht në kornizat horizontale prej druri. Në to u zbuluan 320 pako me substancë narkotike – marihuanë, me një peshë totale prej 137.045 kilogramë”, thuhet në njoftimin e policisë bullgare.
Më tej shtohet se të dy shoferët, G.N. dhe I.M., shtetas të RMV-së janë të dyshuar dhe të akuzuar në këtë procedurë. Me vendim të prokurorit publik, ata janë ndaluar në paraburgim për një periudhë prej 72 orësh. Në ditët në vijim do të kërkohet masa “paraburgim” për të akuzuarit nga gjykata.