Vërshime në Tetovë: U bllokua furgoni me 11 pasagjerë, uji ka hyrë në disa shtëpi!
Një furgon ishte bllokuar, uji ka përmbytur disa shtëpi, oborre dhe rrugë janë vërshuar nga shiu i dendur që sot bie në Tetovë. Për shkak të reshjeve intensive të shiut, zjarrfikësit pasditen e sotme kanë marrë një numër të rritur të thirrjeve nga qytetarët të cilët kanë pasur nevojë për ndihmën dhe ndërhyrjen e tyre.
Zjarrfikësit kanë ndërhyrë për të nxjerrë nga uji një furgon me 11 pasagjerë, i cili ishte i bllokuar në nënkalimimin në rrugën që të çon në fshatin Saraqinë. Katër zjarrfikës me një automjet kanë ndërhyrë që me litar të nxjerrin automjetin.
Reshjet intensive disa orëshe të shiut kanë shkaktuar përmbytje edhe në korsitë e bulevardit “Blagoja Toska” rreth rrethrrotullimit të fundit afër kazermës së Tetovës. Në këtë seksion policia ka drejtuar automjetet për të shkuar në rrugë të tjera.
Komandanti i njësitit zjarrfikës të Tetovës, Avni Ameti, tha për MIA-n se kanë intervenuar në fshatrat Reçicë e Vogël dhe Reçicë e Madhe, ku po nxirrej uji nga shtëpitë dhe oborret dhe bodrumet e tyre.
Situatë e rënduar kishte edhe në fshatin Zhelinë. Kryetari i Zhelinës, ka thënë që gjendja është nën kontroll.