Vendkalimi kufitar “Evzoni” do të jetë i bllokuar edhe sot për shkak të greves së fermerëve grekë

Lidhja Automoto e Maqedonisë (LAMM) njofton se vendkalimi kufitar “Evzoni” edhe sot do të jetë i bllokuar për hyrje dhe dalje nga Greqia, për shkak të grevës së vazhdueshme të fermerëve grekë.
Kalimi do të jetë i mbyllur në dy intervale kohore – nga ora 10:00 deri në 14:00 dhe nga ora 18:00 deri në 22:00.
Bllokada vlen për të gjitha llojet e automjeteve. Protesta të ngjashme e kanë mbajtur “Evzonin” të mbyllur edhe ditët e kaluara.
Ndërkohë, vendkalimi kufitar “Dojran” mbetet i vetmi ku nuk ka bllokada dhe qarkullimi zhvillohet normalisht në të dy drejtimet.
Fermerët grekë kanë vendosur gjithsej 14 bllokada në mbarë vendin me mbi 6.000 traktorë, përfshirë dy prej tyre në vendkalimet kufitare “Evzoni” dhe “Niki”. Protestat nisën të dielën dhe ende nuk ka informacione se deri kur do të zgjasin.



