Vendi që ekzekuton trafikantët e kanabisit

Singapori ka tolerancë zero ndaj narkotikëve. Konsumimi i drogës është vepër penale dhe personi mund të përballet me burgim dhe ndoshta edhe me dënim me vdekje. Singapori i ka ekzekutuar 11 të burgosur përmes varjes në vitin 2022 dhe pesë vitin e kaluar, sipas të dhënave të fundit.

Edhe pse ka dyshek të kashtës, Matthew thotë se preferon të flejë në dyshemenë e betonit në qelinë e tij të sigurisë maksimale në burgun e Singaporit “Changi”.

“Është më freskuese”, thotë ish-mësuesi 41-vjeçar, i cili është dënuar me më shumë se shtatë vjet burg dhe shtatë goditje me shkop për shitje të metamfetaminës.

CNN ka intervistuar Matthew, i cili ka folur vetëm me emrin e tij të parë, gjatë një vizite ekskluzive në burgun “Changi” të mundësuar nga autoritetet e Singaporit, teksa e mbrojnë qytetin nga rritja e përdorimi të drogave.

Gjatë viteve të fundit, dhjetëra shtete të Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende si Kanadaja dhe Portugalia e kanë dekriminalizuar marihuanën.

Por Singapori përdor dënimin e detyrueshëm me vdekje ndaj njerëzve që kapen me sasi të caktuara të drogave të paligjshme – 15 gramë heroinë, 30 gramë kokainë, 250 gramë metamfetaminë dhe 500 gramë kanabis.

Një burrë 64-vjeçar është varur për shkelje të ligjeve të drogës – personi i katërt që është varur deri më tash këtë vit.

Dënimi i rëndë e vendos qytet-shtetin e pasur në një grup të vogël të vendeve si Irani, Koreja e Veriut dhe Arabia Saudite, që i ekzekutojnë kriminelët e dënuar për shkelje të ligjeve në lidhje me narkotikët.
K. Shanmugam, ministri i Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë i Singaporit, e karakterizon luftën e vendit kundër drogave si “betejë ekzistenciale” dhe pretendon se lehtësimi i dënimeve mund të çojë në kaos.

“Shikojeni botën”, thotë Shanmugami. “Sa herë që ka pasur njëfarë dobësie në qasjen ndaj drogave, vrasjet rriten. Vrasjet, torturat, rrëmbimet … rriten”.

Tregu fitimprurës i drogës

Vizitorët në Singapor marrin paralajmërime sa i përket tolerancës zero ndaj drogave, ndërsa arrijnë fluturimet ndërkombëtare.

“Trafikimi i drogës mund të ndëshkohet me vdekje”, thotë një zë i gruas, në mes të udhëzimeve ndaj pasagjerëve për ta mbërthyer rripin e sigurimit dhe për t’i ngrehur lart tavolinat në avion.

Shumë qytetarë të këtij shteti aziatik juglindor janë të vetëdijshëm që është ilegale për ta të konsumojnë droga jashtë vendit.

Singaporianët që kthehen dhe banorët e përhershëm ballafaqohen me rrezikun e testimeve për droga kur arrijnë.

“Kur kthehesh dhe nëse ka ndonjë arsye për të besuar se keni përdorur droga, mund të testoheni”, thotë Shanmugami.

Për kokë banori Singapori është një nga vendet më të pasura në botë. Me një popullsi prej afro 6 milionë banorësh, vendi ka GDP vjetore për kokë prej afro 134 mijë dollarësh.

Kjo qendër rajonale transporti dhe financiare ka reputacion për sigurinë, efikasitetin dhe rreptësinë nën sundimin de facto të partisë.

Partia Veprimi Popullor, anëtar i së cilës është Shanmugami, ka qenë në krye të Qeverisë së Singaporit që nga pavarësia e vendit gjashtë dekada më parë.

Duke folur nga ballkoni i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku shihen lagjet e pastra me parqe dhe vila, Shanmugami argumenton se vendi i tij “është treg potencialisht fitimprurës” në një pjesë të Azisë që, sipas tij, është mbushur me narkotikë.

“Nëse je në gjendje të trafikosh në Singapor, çmimi i rrugës këtu në krahasim me një vend tjetër të botës është magnet”, tha ai.

Singapori ndodhet relativisht afër me Trekëndëshin e Artë famëkeq, kryqëzimin malor të Tajlandës, Laosit dhe Birmanisë së shkatërruar nga lufta civile. Vitin e kaluar Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) e cilësoi rajonin si burimin më të madh të opiumit në botë. Prodhimi i metamfetaminës në rajon gjithashtu është rritur vitet e fundit duke ia kaluar prodhimit të heroinës dhe opiumit.

Shanmugami pretendon se dënimi i ashpër shërben si pengesë për trafikantët e drogës.

“Filozofia jonë e burgut nuk është e njëjtë si, le të themi, filozofia skandinave”, thotë Shanmugami. “Ne kemi vendosur ta bëjmë të rreptë. Burgu nuk është shtëpi pushimesh, është menduar të jetë i ashpër”.

K. Shanmugam, ministër i Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë Foto: CNN

Qeli të vogla nën vapën përvëluese

Kompleksi i burgut të Singaporit “Changi” është një objekt i rrethuar me mure dhe kulla vrojtimi, si dhe porta të ndërtuara nën hijen e aeroportit kryesor të vendit.

Më shumë se 10 mijë të burgosur mbahen këtu dhe sipas raportit të fundit vjetor të burgut, shumica janë dënuar për shkak të veprave penale që lidhen me narkotikë.

CNN-it i është dhënë qasje në një kat të burgut të sigurisë maksimale, që mban rreth 160 të burgosur për krime që variojnë nga tregtia e drogës e deri te krimet e dhunshme, përfshirë vrasje.

Një rrjet i kamerave të sigurisë të vendosura brenda dhe jashtë qelive individuale dhe madje edhe mbi tualete, ua mundëson vetëm pesë rojave monitorimin e tërë katit.

Gjatë kohës së ushqimit tingëllimat metalike të portave jehojnë nëpër bllokun e qelisë, ndërsa një i burgosur shpërndan tabaka me ushqim, përmes një porte që ndodhet në fund të çdo dere të qelisë.
Autoritetet e kanë lejuar intervistimin e vetëm një të burgosuri, Matthew, ish-mësues, që ka thënë se është vetë i varur në drogën që ai po shiste.

Qelia e tij për një person është e rreptë, me përmasa vetëm 7 metra katrorë, me një tualet në tokë nën dush. Të burgosurve nuk u lejohen të kenë mobile, kështu që nuk ka shtrat apo diçka për t’u ulur.

Brenda është gjithashtu si dhomë me avull të nxehtë gjatë gjithë vitit, për shkak të klimës tropikale të Singaporit, ku temperaturat maksimale ditore shkojnë rregullisht mbi 30 gradë celsius.

Efekti i nxehtësisë ekstreme te të burgosurit është bërë shqetësim, teksa temperaturat rriten për shkak të ndryshimit klimatik.

“Mund ta vëresh që nuk ka ventilator ose kondicioner”, shpjegon Matthew. “Ka disa periudha të kohës kur është e padurueshme”.

Kur është pyetur nëse kërcënimi me vdekje ka pasur ndonjë efekt mbi tregtinë e tij të drogës, Matthew thotë se “do të doja të thosha po”.

“Por e vërteta është se nuk po mendoja për të. Në fakt, po e shmangia në mënyrë aktive gjithë çështjen e pasojave”, thotë Matthew.

“Kapitenët e jetëve”

Kushtet e rënda të burgut janë në të kontrast të thellë me mesazhet e bollshme të mirëqenies emocionale në zonat e përbashkëta të institucionit.

Punëtoria, ku të burgosurit paketojnë shamponë kundër zbokthit dhe kafe të shpejtë për të marrë rrogë të vogël, është i mbushur me thënie motivuese nga njerëz të njohur si Steve Jobs dhe Nelson Mandela.

Karaktere të filmave vizatimorë dhe fotografi të ujëvarave i dekorojnë klasat, ku të burgosurit marrin mësime për menaxhim të zemërimit dhe trajnime për punë.

Zyrtarët nga Shërbimi i Burgjeve të Singaporit thonë se i inkurajojnë rojat të mendojnë për veten si “kapitenë të jetëve”, për të ndihmuar në rehabilitimin e të burgosurve.

Nga një dhomë me kondicioner e njohur si “akuariumi i peshkut”, ata i monitorojnë të burgosurit nga pamjet e drejtpërdrejta të kamerave të sigurisë, të pozicionuara nëpër burg.

Reuben Leong, zyrtar në detyrë për njësinë korrektuese, thotë se puna nuk është pa rreziqe. Incidentet e dhunshme – zakonisht përleshjet mes të burgosurve – ndodhin çdo disa javë, thotë ai.

“Ka periudha të kohës ku mund të jenë kërkues, të pasjellshëm e më armiqësor ndaj jush”, shton ai.
Projekti “Yellow Ribbon” është program qeveritar i synuar për rehabilitimin e ish-të dënuarve, që ndihmon me gjetjen e punës dhe angazhimin në komunitet.

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, zyrtarët e Singaporit thonë se së paku një e pesta e të burgosurve shpesh rikthehen në qeli pas dy vjetëve. Për krahasim, një e treta e të burgosurve kthehen në burg brenda dy vjetëve në SHBA, të cilat kanë disa nga normat më të larta të recidivizmit në botë.
Ndërkohë nuk ka rehabilitim për ata që janë të dënuar me vdekje.

Singapori i ka ekzekutuar 11 të burgosur përmes varjes në vitin 2022 dhe pesë vitin e kaluar, sipas të dhënave të fundit. Të gjithë ishin burgosur për vepra penale lidhur me narkotikë.

Zyrtarët nuk kanë lejuar vizitën në Institutin A1, ku më shumë se 40 të dënuar me vdekje presin fatin e njëjtë.

Instituti A1, ku mbahen të burgosurit e dënuar me vdekje Foto: CNN

“Jepjani djalit tim një mundësi të dytë”

Jashtë mureve të burgut, të afërmit e të burgosurve të dënuar me vdekje mbajnë një vigjilje të dhimbshme duke e pritur fatin e të dashurve të tyre.

Halinda binte Ismail ka flokë biondë të lyera dhe një vëth në vrimën e majtë të hundës.

Sipas llogaritjeve të saj, 61-vjeçarja ka qenë në burg të paktën 7 herë, gjithmonë për lëndë narkotike. Halinda thotë se ka qenë vetëm 12-vjeçare kur ka provuar për herë të parë heroinë.

Arrestimi i saj i fundit ka qenë në vitin 2017, kur policia ka bastisur objektin ku ka jetuar ajo me djalin e saj të madh, Muhammed Izwan bin Borhan.

Si nëna ashtu edhe djali janë arrestuar për narkotikë. Por teksa Halinda ka shërbyer vetëm pesë vjet, djali i saj është dënuar me vdekje, pasi policia e ka kapur me gjashtë pako me metamfetaminë dhe heroinë, sipas dokumenteve të gjykatës. Ai është akoma në burg duke e pritur ekzekutimin.

“Jam shumë e zemëruar se pse Qeveria nuk ia jep djalit tim një mundësi për ta ndryshuar jetën”, thotë Halinda. “Gjithmonë i lutem Qeverisë t’ia japë djalit tim një mundësi të dytë”.

Halinda tani është pjesë e një lëvizjeje të vogël aktivistësh që përpiqen ta ndalojnë dënimin me vdekje të Singaporit.

“Nuk po zgjidh asgjë dhe thjesht përdoret në mënyrë disproporcionale kundër disa prej njerëzve më të margjinalizuar dhe më të dobët në shoqëri”, thotë Kirsten Han, gazetare dhe aktiviste e Transformative Justice Collective, e cila lobon në emër të të gjithë të burgosurve të dënuar me vdekje. “Mendoj që moralisht është e gabuar”.

Kritika e hapur e Hanit ndaj sistemit të ekzekutimeve të Singaporit ia ka shkaktuar asaj armiqësinë personale me Shanmugamin, ministrin e Punëve të Brendshme.

“Ajo është një nga ata që ndien për njerëzit e dënuar me vdekje”, thotë Shanmugami.

Megjithatë, Shanmugami konfirmon një nga observimet e Hanit.

Në mesin e më shumë se 40 të burgosurve që janë duke e pritur dënimin me vdekje, shumica janë në “kategorinë e ulët socio-ekonomike”, sipas tij.

Një nga 11 të burgosurit e ekzekutuar në vitin 2022 për vepra penale lidhur me narkotikë ishte Nazeri bin Lajim.

“Po shpresoja se do ta dënonin me burgim të përjetshëm, por ata në fund e varën vëllain tim”, thotë motra e tij, Nazira.

Nazira thotë se vëllai i saj ishte narkoman tërë jetën e tij, por jo burrë i dhunshëm.

Ajo shfaq një seri të fotografive të Nazerit në telefonin e saj, i veshur me një bluzë me ngjyrë të ndritshme, duke buzëqeshur dhe duke e mbajtur shenjën e fitores me gishta për kamerën.

Para çdo ekzekutimi, autoritetet organizojnë fotosesion profesional, ku të burgosurit ndërrojnë uniformat e burgut për rroba të civilëve.

Naziras nuk i pëlqen gjesti.

“Është lumturi e rreme”, thotë ajo.

Ajo thotë se është duke i inkurajuar fëmijët e saj të rritur të largohen përgjithmonë nga Singapori dhe të emigrojnë në Australi.

Lufta kundër drogave

Zyrtarët e Singaporit shfaqin sondazhe, të cilat tregojnë për mbështetjen e jashtëzakonshme të publikut për luftën e Qeverisë kundër drogave.

Në paraqitjet publike Shanmugami shpesh thekson përdorimin publik të drogës në rrugët e qyteteve evropiane dhe amerikane, për ta justifikuar qasjen e Singaporit ndaj problemit.

Por mund të jetë më e përshtatshme të krahasohet rekordi i Singaporit me Hong- Kongun, një tjetër ish-koloni britanike që ka qasje me tolerancë zero ndaj drogës.

Popullata e Hong-Kongut është rreth 25 për qind më e madhe se e Singaporit dhe nuk përdor dënimin me vdekje për veprat penale të lidhura me narkotikë.

Pavarësisht popullatës më të madhe, Hong-Kongu ka kryer 3406 arrestime në vitin 2023 – vetëm disa qindra mbi 3.101 arrestimeve në Singapor.

Dhe sipas Shanmugamit, arrestimet e lidhura me narkotikë në Singapor janë rritur për 10 për qind në vitin 2023 – duke sugjeruar se ndoshta kërcënimi me vdekje po dështon funksionin si parandalues i krimit.

“Është luftë që kurrë nuk thua se e ke fituar”, thotë Shanmugami. “Është punë e vazhdueshme”.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button