Vendi i Adem Demaçit në letërsinë shqipe

Për ta njohur sa më saktë vendin dhe rolin që Adem Demaçi e ka në letërsinë shqipe, është e udhës që ta njohim në mënyrë sa më të plotë kontekstin shoqëror e kulturor, në të cilin u shfaq si individualitet letrar. Prishja e marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë më 1948 bëri të pamundur çdo lloj komunikimi të shqiptarëve të mbetur nën sundimin e huaj me shtetin e tyre amë. Ishte e paimagjinueshme një jetë normale kulturore, rrjedhimisht edhe letrare, në rrethanat kur nuk kishte as edhe një komunikim sado të vogël në këtë rrafsh.
Shkruan: Hysen MATOSHI, Prishtinë
Kur flasim për Adem Demaçin, asociacioni i parë që na kujtohet është angazhimi i tij për lirinë kombëtare. Kryengritësi i përjetshëm nuk hoqi dorë asnjëherë nga pikëpamjet dhe angazhimet e tij politike. Burgosjet dhe vitet e kaluara në kazamatet sllave nuk e luhatën aspak. Mbeti i patundur në vizionin e tij për çështjen shqiptare. Opinionit serb do t’i përgjigjej me gjysmë ironie: “Ju më keni mësuar se sa e vlefshme është liria, ju më keni mësuar se lirinë duhet ta dua më shumë se gjithçka tjetër”.
Në aksionin gjithëpërfshirës të Adem Demaçit letërsia është vetëm një trajtë e angazhimit. Ndonëse një veprimtari që nis qysh në rininë e autorit dhe madje e frytshme e me një shtrirje prurjesh deri në ditët e sotme, letërsia asnjëherë nuk ishte preokupim jetësor i tij. Për të qartësuar vendin e letërsisë në universin demaçian, po e shtrojmë çështjen në trajtën e pyetjes: A u burgos Adem Demaçi për shkak të veprës së tij letrare apo vepra e tij letrare u ekskomunikua për shkak të burgosjes së autorit të saj? Besoj se përgjigjja është e qartë për secilin prej nesh. Vepra letrare, përkatësisht romani “Gjarpinjtë e gjakut” (dhe disa tregime të asaj kohe), e përjetoi fatin e autorit të saj. Më parë se për çlirimin nga sundimi i huaj, romani bën fjalë për vetëçlirimin, për çlirimin nga vetja. Aksioni kombëtar nuk drejtohet kah faktorë të jashtëm. Ai është fokusuar në humanizimin e ndërgjegjësimin e kombit shqiptar, në çrrënjosjen e një të keqeje të madhe që e rrezikonte me vetëzhdukje qenien shqiptare.
Talenti i Demaçit dhe konteksti kulturor i kohës
Në moshën 22-vjeçare Demaçi vendosi që idenë e pajtimit mes shqiptarëve, nëpërmjet çrrënjosjes së hakmarrjes e vëllavrasjes, t’ua kumtonte lexuesve në trajtë letrare, në dy vazhdimet e romanit të tij që panë dritën në faqet e revistës letrare “Jeta e re”. Mirëpo, ky roman nuk ishte sprova e tij e parë letrare, ngase deri atëherë ai kishte botuar disa tregime. Përveç krijimtarisë autoriale, po në këtë kohë Adem Demaçi do të jepte edhe shenjat e para të një përkthyesi të talentuar, duke kontribuar që të pasurohej fondi i veprave të botuara në shqip me autorë botërorë.
Për ta njohur sa më saktë vendin dhe rolin që Adem Demaçi e ka në letërsinë shqipe, është e udhës që ta njohim në mënyrë sa më të plotë kontekstin shoqëror e kulturor, në të cilin u shfaq si individualitet letrar. Prishja e marrëdhënieve ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë më 1948 bëri të pamundur çdo lloj komunikimi të shqiptarëve të mbetur nën sundimin e huaj me shtetin e tyre amë. Ishte e paimagjinueshme një jetë normale kulturore, rrjedhimisht edhe letrare, në rrethanat kur nuk kishte as edhe një komunikim sado të vogël në këtë rrafsh. Nga ana tjetër, hapja e shkollave shqipe më 1941 dhe ekzistimi i tyre për disa vite kishte krijuar rrethana më të favorshme për zhvillimin e kulturës shqiptare, por edhe nevojën për vepra letrare origjinale e të përthyera në gjuhën shqipe. Megjithëse revista letrare “Jeta e re” u themelua më 1949, përmbledhja e parë origjinale me poezi, e titulluar “Për ty” me autor Esad Mekulin, doli vetëm më 1955, kurse romani i parë dy vite më vonë. Letërsia shqipe në ish-Jugosllavi, e shkëputur panatyrshëm nga trungu i saj, po gjëllinte në një komunitet të paktë shkrimtarësh entuziastë, të cilët bënë çmos që ta përmbushnin boshllëkun e madh që e kishte krijuar sistemi politik dhe pushteti i kohës. Pra, konteksti i asokohshëm shoqëror i ekzistimit të shqiptarëve në këtë hapësirë nuk linte për të shpresuar se do të trajtoheshin si të barabartë me kombet e tjera, ngase statusi i shqiptarëve dhe i Kosovës ishin shembujt më tipikë të aparteidit në Europën e asokohshme, ndërsa konteksti letrar e, përgjithësisht, kulturor nuk ishte asgjë tjetër, veçse shëmbëllim i plotë me atë shoqëror e kombëtar të shqiptarëve.
Vlerësimi i Hasan Mekulit për Adem Demaçin
Plejadës së autorëve të rinj, të cilët po ngriheshin kryesisht nën kujdesin e Esad Mekulit, nga fillimi i viteve 50-të iu bashkua edhe Adem Demaçi. Emri i tij për një kohë të shkurtër u bë i njohur në qarqet kulturore e letrare. Demaçi u bë objekt trajtimi edhe në sprovat e para kritike të publikuara në vitet 50 në Prishtinë. Kritiku letrar Hasan Mekuli, ndër të tjera, me rastin e botimit të romanit “Gjarpijt e gjakut”, për këtë autor thekson: “Adem Demaçi asht tashma bukur moti i njohun në letërsin tonë dhe njëmend i gjallë dhe i spikatun. Ky asht i spikatun, jo vetëm për shkak se asht prore aktiv, por ma tepër për shkak se proza e tij qëndron dhe përparon me kumbimin e saj origjinal, kërkon shtigje origjinale dhe me shumë guxim e mjaft sukses po lufton kundër një anmiku të rrezikshëm, i cili quhet konvencionalizëm. Kjo luftë relativisht e suksesshme ban që lexuesi të mundet me i përcjellë gjurmët e zhvillimit të tij artistik me buzëqeshje kënaqësie. Nganjiherë ka pasë sukses ma shum, nganjiherë ma pak, por vepra e tij ka qëndrue prore, ka qenë prore interesante me ngjyrën e vet humoristike dhe me të folmen e panjajtësueme, herë-herë dis-harmonike e natyraliste të katundit, ka ecë, ka pasë domethënie, ka ndikue në mënyrë shumë impresive në vëmendjen tonë, me observacione dhe kualitete të reja.”
Disa nga cilësimet e asokohshme të Hasan Mekulit e orientojnë vëmendjen në esencën e veprës letrare të Adem Demaçit, pra edhe në vendin e saj në rrjedhën e historisë së letërsisë shqipe. Së pari duhet thënë së kontributi i tij si autor lidhet ngushtë me njëfarë negacioni të prurjeve letrare të kohës, pra si negacion i kontekstit kulturor. Prurjet letrare origjinale në gjuhën shqipe, përveçse të pakta, janë më shumë dëshmi paraletrare, veçmas në fushën e prozës. Jeta letrare zhvillohej rreth një reviste modeste e me autorë fillestarë, ndërsa as që mund të bëhej fjalë për ndonjë edicion botimesh të veçanta. Pra, në rrafshin e zhvillimeve kulturore shqiptare, në mesin e shqiptarëve jashtë shtetit amë, Demaçi po bënte përpjekje të mohonte një gjendje ekzistuese dhe të krijonte një letërsi, e cila pak vite pas botimit të romanit të tij, do të plotësohej me zhanret dhe llojet e rëndomta letrare. Suksesi i “Gjarpijve të gjakut” ishte një shtysë e fuqishme edhe për autorë të tjerë, të cilët, në mungese të një tradite letrare, ngurronin të hidhnin hapat në fushën e publikimeve autoriale. Konvencionalizmin, si një armik të krijimtarisë, Demaçi, me ardhjen e tij në rrjedhat letrare shqipe, e lufton edhe në një rrafsh tjetër. Përgjithësisht letërsia shqipe në vitet 50-të kishte rënë në kthetrat e realizmit socialist si doktrinë ideologjike e politike, që e konceptonte artin si një mjet për edukimin e masave popullore në frymën socialiste e komuniste.
Një frymë e re në letërsinë shqipe
Për dallim nga fryma mbizotëruese e letërsisë së asokohshme shqipe, e cila në planin ideor ishte qartazi e angazhuar politikisht dhe, si e tillë, e mbështeste pushtetin dhe sistemin e vlerave ideologjike, vepra letrare e Demaçit, e periudhës nga fillimet e krijimtarisë së autorit deri në burgosjen e tij, trajton aspekte të jetës sociale e kulturore të shqiptarëve, të ambientit rural, të traditave, të prapambetjes sociale, arsimore kulturore etj. Me një fjalë, kjo vepër qëndron jashtë skemave të ngurta të socrealizmit, duke bartur në vete karakteristika të qarta të realizmit kritik. Në vend se të glorifikojë e të idealizojë realitetin e kohës, sikundër ndodhte në letërsinë shqipe të kohës, Demaçi shpreh pakënaqësi me të dhe qorton, duke dashur që këtë realitet ta ndryshojë rrënjësisht. Karakteri i angazhuar, qëndrimi kritik ndaj traditës dhe aspektet e qarta didaktike në konceptimin e lëndës letrare në romanin “Gjarpijt e gjakut” kanë bërë që autori të mos rrëshqasë në natyralizëm apo në verizëm. Prandaj, atributet që i pati vërejtur Hasan Mekuli, sikundër janë: origjinaliteti, antikonvencionalizmi, llojshmëria gjuhësore dhe risimtaria, janë vlera që e bëjnë Adem Demaçin autor të rëndësishëm në historinë e letërsisë shqipe të kësaj periudhe, qoftë për veçantitë e saja ideore e narrative, qoftë për faktin se erdhi në një periudhë të klishetizimit të prodhimit letrar në Republikën Socialiste Popullore të Shqipërisë, përkatësisht të mungesës së prurjeve letrare te pjesa tjetër e botës shqiptare. Rëndësia historiko-letrare dhe artistike e veprës së mëpastajme të këtij autori është më e paktë dhe më pak ndikuese në procesin e përgjithshëm të letërsisë shqipe. Adem Demaçi, si ideolog, si veprimtar, si humanist, si politikan i dënuar, si simbol i përpjekjeve për lirinë kombëtare, do ta largonte mjaft shumë nga vëmendja Adem Demaçin si autor të letërsisë. Edhe më shumë do ta largonte ekskomunikimi i kësaj vepre për më shumë se tri dekada. Ndonëse në romanin “Gjarpijt e gjakut” nuk mund të gjendet as edhe një shenjë e urrejtjes për kombet e tjera, vepra letrare – të themi kushtimisht – u burgos për shkak të burgosjes së autorit të saj. Kur studioja e shkrimtarit u zëvendësua me qelitë e ftohta të burgut, letërsia përfundimisht e humbi betejën që e nisi me veprimtarinë atdhetare së cilës do t’i përkushtohej gjithnjë e më shumë; dashuria dhe pasioni për artin i bën vend detyrës për atdheun dhe kombin; fjala e bukur letrare i bëri vend thirrjes kushtrimtare të lirisë që jehoi për dekada. Adem Demaçi është simbiozë e rrallë e atdhetarit e humanistit, në njërën anë, dhe e intelektualit e artistit, në anën tjetër.