Veç durim!

Durimi diplomatik ishte pasqyrimi më real që e realizoi Dr. Rugova në arenën ndërkombëtare për të gjithë sakrificën sublime të çështjes kosovare, e që në atë kohën agjenda diplomatike nuk e kishte fokusin dhe qasjen e duhur karshi situatës që po e kalonte populli i Kosovës. Ai insistonte se një diplomaci e moderuar nënkuptonte se ai nuk e donte luftën e armatosur, sepse ajo kishte pasoja në jetë njerëzish. Për të politika nuk ishte matematikë.

Shkruan: Ariton RAMA, Shkup  

Një personazh këmbë mbi këmbë me një shall mëndafshi parisien të lidhur në fyt dhe me duhan në dorë, që zinte vend me karizmin e tij atipik në tavolinën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ishte pa dyshim një politikan jotipik i kohës së atëhershme, pse jo ndoshta edhe sot.

Ibrahim Rugova ishte i guximshëm me anë të paqes, duke kërkuar DURIMIN dhe asgjë tjetër, kjo në një epokë kur Kosova po përballej me një represion të dhunshëm social dhe me një spastrim total etnik. KJO PËR SHUMËKËND ISHTE ABSURDE. Mekanizmi dhe ideja e filozofisë vepruese politike me anë të paqes pa dyshim ishte një inovacion në skemën e të menduarit politik në botën shqiptare dhe jo vetëm, por edhe atë ndërkombëtare, sepse Rugova plasoi një veçori politike-diplomatike që Kosovës dhe elitës politike kosovare i kishte munguar. Në një kohë ku pritej hakmarrja shqiptare, thirrja për rimëbëkëmbje rajonale shqiptare kundrejt barbarisë të mendësisë politike serbe, Dr. Rugova (për “Der Spiegel” më 1998) tha se: “Ne shqiptarë jemi pro strategjisë TEREZIANE, e cila i referohet në mënyrë simbolike gërshetimit të humanes dhe paqes njerëzore”.

Durimi diplomatik ishte pasqyrimi më real që e realizoi Dr. Rugova në arenën ndërkombëtare për të gjithë sakrificën sublime të çështjes kosovare, e që në atë kohën agjenda diplomatike nuk e kishte fokusin dhe qasjen e duhur karshi situatës që po e kalonte populli i Kosovës. Ai insistonte se një diplomaci e moderuar nënkuptonte se ai nuk e donte luftën e armatosur, sepse ajo kishte pasoja në jetë njerëzish. Për të politika nuk ishte matematikë. Ky ishte botëkuptimi edhe i vetë fjalimit të tij në Parlamentin Europian në vitin 1998, ku në mënyrë maestrale e justifikoi edhe aktin e mbrojtjes dhe çlirimin e Kosovës nga Ushtria Çlirimtare, si akt dhe fat i detyrueshëm për ta mbrojtën ecurinë e jetës, duke ia falur lirinë njeriut.

Diplomacia rugoviane ishte strukturalisht e ndërtuar me anë të simbolikave, fakt ky që i ndihmoi si kritik letrat dhe pasionant i artit dhe filozofisë, pra një diplomat i cili politikën e stilizoi në shërbim të së mirës paqësore mes luftës, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human dhe anti-dhunë. Me anë të gurëve të kristaltë në kancelaritë më me peshë në botë donte të tregonte se Kosova natyralisht është e pasur dhe e pastër si kristali.

“Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë” [“Veçer” Maribor, 22 prill 1989]

Durimi diplomatik i Presidentit ishte pa dyshim largpamësia dhe stoicizmi i tij për t’i ruajtur rrënjën tradicionale të identitetit shqiptar në Kosovë, e cila ishe në rrezik të skajshëm nga gjenocidi, vuajtja, përçarja, migrimi, burgosja, asimilimi e shumëçka tjetër në shoqërinë kosovare, së cilës i kishte humbur durimi nga ky maltretim çnjerëzor. Organizimi politik i Ibrahim Rugovës konsiderohet si hap krucial i ndërtimit të një IDEALI KONKRET të shtetndërtimit të Kosovës, duke krijuar fillimisht aleatët ndërkombëtarë, që në atë kohë nuk ishin të definuar, që ashtu të krijohen moduset e para të një shteti të pavarur me parimet racionale politike shtetërore me anë të një refreni politik – LIRI, DEMOKRACI, PAVARËSI. Ishte kjo njëlloj lëvizje politike diplomatike, që synonte pranë botës, me anë të detyrimit moral, të bazuar në vlerat e demokracisë perëndimore dhe të drejtat dhe liritë e njeriut që i takonin popullit të vuajtur të Kosovës, që ashtu të njihet mëvehtësia territoriale , e cila ishte një veprim PAT për strategjinë dashakeqëse serbe, sidomos në sferën ndërkombëtare, duke dëshmuar që Ballkani ishte i lodhur nga luftërat dhe më së shumë se kurrë i duhej paqja dhe inkorporimi i vlerave parimore për krijimin e një shteti model demokratik në Ballkan. KJO PA DYSHIM E PREKU NDËRGJEGJEN NDËRKOMBËTARE.

Rugova u paraprinte gjërave, duke i ofruar popullit alternativa për ecurinë politike kosovare, duke e kthyer kështu shpresën, pluralizmin dhe kritikën në shoqërinë shqiptare kosovare, një dukuri që e bënte edhe më të veçantë, si një politikan të matur dhe, në të njëjtën kohë, modest. Debatet me Qosjen, Demaçin dhe Kadarenë, rivalitetin dhe kompromiset me krahun e luftës. si forcat e reja politike të pasluftës, e bënë të qartë se vizioni i Rugovës ishte i rëndësishëm më shumë sesa rejtingu i tij në përditshmërinë politike. Ky ishte një mësim edhe për politkëbërësit e tashëm dhe të ardhshëm se si perceptohet ideosi politik që duhet ndjekur në angazhimin politik duke qenë në fund çdoherë fitues.

Se pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor. (“Bota e re”, 25 maj 1987)

Kjo frymë elitare politike rugoviane ishte sinjal që duhet të aprovohet si strategji kombëtare në nivel jo vetëm kosovar, por në gjithë spektrin rajonal shqiptar. Këtë atribut ndoshta po e gëzon edhe sot ende Kosova, tashmë si një republikë e re, e cila po konsiderohet si vendi që po i tejkalon nivelet tranziconale më shpejt sesa shumë vende të rajonit dhe kjo si meritë e një shoqërie rebeluese që di të kritikojë në shumë forma të ndryshme për një të mirë të përbashkët.

Durimi i Rugovës ishte për ta tejkaluar edhe vetë Rugovën, kjo për të mirën e vendit dhe popullit, si një fëmijë i rritur pa e njohur babain dhe gjyshin, të pushkatuar nga forcat rebele serbe. Ai, si kryetar i një lëvizjeje politike, ishte i gatshëm të shkonte në Beograd për të biseduar për paqen rajonale në Ballkan, mbi parimin e aksioneve jo të armatosurave. Ai shprehu gatishmërinë për ta udhëhequr delegacionin e Rambujesë udhëheqësi politik i UÇK-së Hashim Thaçi (edhe pse i pakënaqur me shumëçka atje), kjo për hir të uniteti politik si nevojë permanente për rrugëtimin drejt negociatava për pavarësinë e Kosovës. Më vonë arriti ta nënshkruajë koalicionin me dy forca politike të dala nga lufta, LDK-PDK-AAK. Pra, ky DURIM integroi një mentalitet të ri politik, që shqiptarëve edhe sot e kësaj dite fatkeqësisht po u mungon.

Durimi ishte një ëndërr, ëndrra një ideal, ndërsa ideali një liri dhe mëvetësi e një POPULLI, ku kapitali politik krijohet dhe ndërtohet vetëm nga politikanët që kokën ndoshta ua ndërrojnë, por mendimin KURRË!

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button