Vdekja e foshnjës në Klinikën e Gjinekologjisë, Aliu inicion mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese

Ministria e Shëndetësisë, në lidhje me rastin e foshnjës së porsalindur të ndjerë në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, shpreh fillimisht ngushëllimet më të sinqerta për prindërit.
“Me qëllim të përcaktimit të rrethanave dhe sqarimit të plotë të rastit, ministri Azir Aliu ka iniciuar një mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, pas së cilës do të vijojë edhe një mbikëqyrje profesionale.
Theksojmë se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me inspektoratin, do të veprojë në mënyrë profesionale, të specializuar dhe transparente, me qëllim informimin e saktë dhe objektiv të opinionit publik mbi rrethanat e këtij rasti, si dhe mbi aktivitetet e ndërmarra nga aspekti profesional.
Në këto momente të vështira për familjen, lusim të priten hulumtimet e mbikëqyrjeve dhe rezultati i obduksionit, i cili është i vetmi dhe përfundimtari për përcaktimin e shkaqeve të vdekjes, në mënyrë që deri në marrjen e rezultateve përfundimtare të mos krijohet shqetësim te familja dhe në opinionin publik”, njoftojnë nga MSH.



