Vazhdon gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls”, për sot janë thirrur tre dëshmitarë

Me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Publike, sot në sallën e gjyqit në “Idrizovë” pritet të vazhdojë procesi gjyqësor për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u plagosën.

Për sot, Prokuroria ka propozuar tre dëshmitarë, Dragi Ilievski, Dejan Rashkov dhe Violeta Georgievska, të gjithë nga Komuna e Koçanit.

Mbrojtja e të akuzuarve sot duhet të deklarohet nëse e pranon tërheqjen e disa prej dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, pasi në seancën e kaluar të gjithë të akuzuarve për rastin “Puls” u është dorëzuar lista e dëshmitarëve për të cilët propozohet të tërhiqen nga procedura, me arsyetimin se rrethanat janë vërtetuar përmes dëshmive të dëshmitarëve të tjerë.

Në seancën e kaluar u dëgjua dëshmitari Zhivko Stavrevski, ndihmës-inspektor i përgjithshëm në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, i cili deklaroi se deri në vitin 2020 nuk ishin parashikuar kontrolle të rregullta inspektuese në komunat ku nuk kishte inspektorë, ndërsa Koçani nuk kishte mbulim me inspektor për kontrolle dhe parandalim.

Zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan shpërtheu më 16 mars 2025, gjatë një performance të grupit DNK dhe përbën një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Në të humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u plagosën. Procesin gjyqësor e drejton Dijana Gruevska-Ilievska, ndërsa aktakuzën e përfaqëson një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button