“Vazhdojmë me përgjegjësi dhe dinjitet” – Alternativa zbarkon në Çair, takon strukturat dhe aktivin e partisë

Sot, Alternativa, në vazhdën e takimeve nën moton “Vazhdojmë me përgjegjësi dhe dinjitet”, zhvilloi një takim me strukturat dhe aktivin e partisë në Çair.

Gjatë takimit u diskutua situata aktuale politike, u prezantuan arritjet e Alternativës në kuadër të koalicionit VLEN dhe u shkëmbyen sugjerime, kritika dhe llogaridhënie para strukturave. Kjo formë komunikimi transparente dhe e hapur dëshmon standardin e ri që Alternativa po vendos në skenën politike, duke qenë pranë strukturave, votuesve dhe qytetarëve.

Fjalë përshëndetëse mbajtën: kryetari i degës së Çairit, Faton Fazliu, nënkryetari Afan Elezi, kryetarja e Forumit të Gruas, Albulena Demiri Zendeli, deputetja Imërlije Saliu, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, deputeti Bekim Sali, sekretari organizativ Bashkim Murtezi, sekretari i përgjithshëm Amir Elezi dhe kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.

Në fund të takimit, kryetari Zeqirija Ibrahimi iu drejtua të pranishmëve duke theksuar:
“Në këto 6 muaj të qeverisjes, kemi ndërtuar një standard të ri politik.

Dëshirojmë që në vazhdimësi të sjellim funksionarët tanë para votuesve, elektoratit, që të japin llogaridhënie dhe të bashkëbisedojnë.
Ndërkohë që partitë e tjera futen në lista të zeza, Alternativa futet në lista të bardha për transparencë dhe llogaridhënie.
Nuk janë të qëndrueshme akuzat se ka pasur degradim të shqiptarëve, përkundrazi, shqiptarët janë të përfaqësuar në të gjitha nivelet e pushtetit qendror.

Për sukseset tona, mund të përmendim se shkolla e Çashkës është mbyllur dhe në gjysmëvjetorin e ardhshëm fëmijët do të mësojnë. Ata të partisë “non-grata” nuk kanë arritur të ndërtojnë një shkollë, sepse kanë qenë të angazhuar në krim dhe korrupsion.
Për Universitetin e Nënë Terezës janë ndarë rreth 35 milionë euro, një shumë që nuk është ndarë kurrë më parë. Gjithashtu, Abetarja Kombëtare është një tjetër sukses i yni.

Do të ndërtohen shumë salla sportive dhe do të shtohen rreth 80 milionë euro për projekte elementare dhe infrastrukturore. Ndërsa, këta të tjerët kanë keqpërdorur dhe keqqeverisur aq keq sa që qytetari nuk ka qenë prioritet i tyre.
Për herë të parë në histori, ndodh që arrestohet dikush që e ka përdhosur flamurin shqiptar. Kjo është përkushtimi i qeverisjes VLEN. Ndërsa këto parti “non-grata” kanë qenë të zëna duke inskenuar incidente ndëretnike. Ne u themi të gjithëve se duhet të respektohen të gjithë flamujt.”

Në fund, Ibrahimi shtoi:
“Partia non-grata na ka akuzuar se jemi të Lindjes dhe ata të Perëndimit, por tani, në vitin 2024, partia që quhet BDI ka ndërruar emrin dhe quhet ‘non-grata’. Në atë listë janë Nikolla Gruevski, Sasho Mihajllkov, Milan Radojçiç dhe funksionarë të lartë partiakë të BDI-së.

Nuk është vetëm korrupsioni arsyeja që janë futur në listën e zezë, por edhe për faktin se funksionarët e BDI-së kanë punuar për forca antiamerikane dhe proruse.
Është turp për shqiptarët që në vitin 2024 të kemi një parti shqiptare proruse si BDI-ja, e cila nga Departamenti i Shtetit Amerikan cilësohet si parti proruse.

Ata që kishin plane për të shkaktuar destabilizim kanë marrë mesazhin nga Departamenti i Shtetit Amerikan, sepse nuk rrinë dot në opozitë nga frika për krimet e bëra. Kartolina nga SHBA-ja ishte lista e zezë.

Nuk e di pse flasin për veting kur funksionarët e BDI-së janë futur në listën e zezë amerikane. Nuk e di pse ende pyesin për këtë.

Dhe për fund, pyes publikisht Ali Ahmetin: A ka vizë amerikane? Është mirë të përgjigjet për këtë vetë ai!

Porosia jonë e fundit është se ne jemi gardianë të familjes shqiptare. E dimë që ka pasur frymë liberale nga Sorosi që ka tentuar të shkatërrojë familjen, por sigurohuni që kjo nuk do të ndodhë kurrë. Për ne, familja mbetet e shenjtë!”

Alternativa mbetet e përkushtuar në kursin tonë euroatlantik dhe në partneritetin e fuqishëm me SHBA-në. E përshëndesim edhe një herë vendimin e Departamentit të Shtetit për ndihmën e vazhdueshme që po jep në luftën kundër keqpërdorimeve të pushtetit, të cilat kanë dëmtuar shqiptarët, proceset gjyqësore dhe kanë minuar demokracinë në vendin tonë.

Alternativa do të vazhdojë me këtë standard të ri, duke qenë më afër strukturave dhe qytetarëve, transparente në çdo proces, me llogaridhënie për çdo vendim dhe të përkushtuar në punë!

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button