Van Dijk: Shpresoj që Salah të mbetet te Liverpooli edhe pas Kupës së Afrikës

Kapiteni i Liverpoolit, Virgil van Dijk, ka theksuar unitetin brenda skuadrës dhe dëshirën e përbashkët që Mohamed Salah të vazhdojë rrugëtimin e tij me “Reds”, teksa sulmuesi egjiptian përgatitet për Kupën e Kombeve të Afrikës.
Pas një periudhe të shoqëruar me tensione dhe përplasje me klubin dhe trajnerin Arne Slot, Salah u rikthye në fushë duke dhënë kontribut në fitoren 2-0 ndaj Brighton. Kjo përballje shënoi edhe ndeshjen e fundit të tij me Liverpoolin përpara largimit drejt AFCON-it, ku do të udhëheqë Egjiptin si kapiten. Van Dijk pranoi se situata rreth Salahut ka sjellë vëmendje të madhe mediatike, por nënvizoi se ekipi nuk është ndikuar në aspektin sportiv.
Mbrojtësi holandez shtoi se komunikimi me Salahun është i vazhdueshëm dhe i hapur, duke theksuar se dëshira e tij personale, ashtu si edhe e gjithë skuadrës, është që ylli egjiptian të qëndrojë në “Anfield”.
“Këtë javë treguam se jemi absolutisht të bashkuar dhe shkojmë përpara si një i vetëm. Mo do të shkojë në Kupën e Afrikës, të gjithë shpresojmë se ai do të jetë absolutisht i suksesshëm atje dhe të gjithë shpresojmë që ai të kthehet dhe të jetë i rëndësishëm për ne për pjesën tjetër të sezonit”, theksoi Van Dijk.



