Vaki Maqedonie, i sulmuari nga Bekim Neziri në M-NAV arrestohet nga policia

I punësuari në M-NAV i cili ishte sulmuar nga funksionari i BDI-së, Bekim Neziri së bashku me disa persona të tjerë mbrëmjen e djeshme është arrestuar në pikëkalimin kufitar “Bllacë e Poshtme”, në dalje nga shteti.
Nga Prokuroria kanë konfirmuar se bëhet fjalë për personin P.B, inicialiet e të cilit përputhen me ato në buletinin ditor të policisë.
“Më datë 06.01.2024 në orën 20:10 në pikëkalimin kufitar “Bllacë e Poshtme” në dalje nga shteti, është privuar nga liria P.B (39) nga Shkupi. Gjatë kontrollit është konstatuar se për të ka masë aktive ‘arrest’ me kërkesë të Repartit për hetime, për veprën penale ‘kërcënim të sigurisë së komunikacionit ajror’. Ai është arrestuar dhe dorëzuar zyrtarëve policor për procedurë të mëtutjeshme”, qëndron në buletinin e MPB-së.



