Vajzat me nevoja të veçanta mësojnë këndimin e Kuranit

Elif Ademoğlu dhe Fatma Kisha, dy vajza me sindromën Down nga Türkiye kanë mësuar të këndojnë Kuranin e Famëlartë.
Dy vajzat me nevoja të veçanta që marrin arsim në Qendrën e Koordinimit të Shërbimeve për Familjen dhe Personat me Aftësi të Kufizuara të lidhur me Bashkinë Metropolitane të Erzurumit, mund të përfitojnë nga shumë kurse falas, të tilla si Kurani, gjuha e shenjave, shkrim-leximi, fotografia, kompjuteri, piktura, arti i djegies në dru, dizajni i bizhuterive, pingpongu, shahu dhe muzikëa.
Nxënëset merren nga shtëpitë e tyre me autobusë çdo mëngjes dhe u jepet mundësia të shoqërohen me aktivitete të ndryshme gjatë gjithë ditës.
Elif Ademoğlu dhe Fatma Kisha, të cilat kanë sindromën Down dhe kanë përfituar nga qendra ku deri më tani kanë marrë arsim 750 persona me nevoja të veçanta, kanë arritur gjithashtu të mësojnë të lexojnë Kuranin. Vajzat, të cilat kanë dy vjet që recitojnë Kuranin, me vendosmërinë e tyre po japin shembull për ata përreth tyre.
Drejtori i qendrës, Mahmut Temel, për Anadolu tha se nxënëset marrin trajnim në 17 degë të ndryshme në varësi të aftësisë së tyre të kufizuar dhe se ata vërejnë zhvillime të rëndësishme tek individët me modelin arsimor të ofruar në klasat e përziera.
Temel shpjegoi se mësimet në qendër kryhen sipas kërkesave të familjeve dhe se mësimi i Kuranit u mundësohet edhe nxënësve me nevoja të veçanta.
“Në edukimin tonë për Kuranin, nxënësve tanë me shikim të kufizuar u jepet edukim i veçantë. 17 nga fëmijët tanë që filluan me alfabetin mësuan të lexonin Kuranin. Ne u japim certifikata atyre që përfundojnë mësimin në fund të kursit. Ka disa nga fëmijët tanë që nuk janë as në gjendje të lexojnë ose shkruajnë, por që kanë mësuar të lexojnë Kuranin”, tha ai.
“Leximi i Kuranit prej tyre më bën të përballoj detyrën time me dashuri”
Ayşe İclal Pınar, e cila ka punuar si mësuese e Kuranit në qendër për 4 vjet, deklaroi se ajo ofron arsim sipas aftësive të kufizuara të nxënësve. “Unë përcaktoj metodën e edukimit për fëmijët tanë sipas gjendjes së tyre fizike dhe mendore. Ndonjëherë u kërkoj ta lexojnë disa herë ose të bëjnë ushtrime vizuale mbi ngjyrat. Ne ofrojmë arsim sipas nivelit të fëmijëve tanë. Leximi i Kuranit nga ana e tyre më bën të vij në punën time me dashuri. Kemi parë ndryshime shumë të mira. Mund të vërejmë se ata kanë ndryshuar shumë në shumë fusha, siç janë qëndrimet e tyre ndaj familjeve të tyre dhe sjellja e tyre brenda institucionit”, tha ajo.
Elif Ademoğlu deklaroi se ka dy vjet që këndon Kuranin. “Unë këndoj edhe në shtëpi. E kam recituar të gjithë Kuranin tri herë. Kurani është dashuria ime”, u shpreh ajo.
Fatma Kisha tha gjithashtu se ajo këndon Kuran gjatë Ramazanit dhe theksoi se: “Gjatë Ramazanit këndova për babain tim. Kur lexoj Kuran, ndihem në paqe. E lexoj edhe në shtëpi me nënën time”.