Ushtria libaneze dislokon trupat rreth qytetin jugor të Libanit pas tërheqjes së forcave izraelite
Ushtria libaneze tha sot se ka dislokuar njësi në pesë pozicione rreth qytetit Khiam në rrethin Marjeyoun të Libanit jugor pas tërheqjes ushtarake izraelite, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, ushtria sqaroi se dislokimi u krye në koordinim me Forcën e Përkohshme të OKB-së në Liban (UNIFIL) si pjesë e fazës së parë të planit të vendosjes së saj në rajon.
Kjo lëvizje vjen pasi forcat izraelite u tërhoqën pas diskutimeve me komitetin mbikëqyrës prej pesë vendeve, thuhet në deklaratë.
UNIFIL-i është pjesë e një komiteti prej pesë anëtarësh të ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të një marrëveshjeje armëpushimi midis Libanit dhe Izraelit. Komiteti përfshin gjithashtu anëtarë nga SHBA-ja, Franca, Libani dhe Izraeli.
Deklarata theksoi gjithashtu se ushtria libaneze do të vazhdojë dislokimin e saj në faza, me njësi të specializuara që kryejnë kërkime inxhinierike në qytet për të hequr municionet e pashpërthyera.
Ushtria u bëri thirrje qytetarëve që të shmangin zonën dhe të ndjekin udhëzimet e njësive ushtarake deri në përfundimin e dislokimit.
Të paktën 28 persona janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite që nga hyrja në fuqi e armëpushimit mes Libanit dhe Izraelit dy javë më parë, sipas shifrave libaneze.
Sipas kushteve të armëpushimit, Izraelit i kërkohet të tërheqë forcat e tij në jug të Linjës Blu –kufiri de fakto – në faza, ndërsa ushtria libaneze do të vendoset në Libanin jugor brenda 60 ditëve.
Më shumë se 4.000 njerëz janë vrarë dhe mbi 16.500 janë plagosur në sulmet izraelite në Liban, krahas mbi 1 milion të zhvendosurve që nga tetori 2023, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.