Ushtria izraelite: 1 ushtar i vrarë dhe 4 të plagosur në luftimet në Gaza

Të paktën një ushtar izraelit u vra dhe katër të tjerë u plagosën rëndë në përleshjet me luftëtarët e rezistencës palestineze në jug dhe veri të Rripit të Gazës, njoftoi ushtria izraelite, transmeton Anadolu.
“Në betejat në jug të Rripit të Gazës është vrarë rreshteri Oz Shmuel Erdi, 19 vjeç, pjesë e Batalionit 603 të Inxhinierisë”, njoftoi Transmetuesi Publik izraelit, duke cituar një deklaratë të ushtrisë izraelite.
“Një oficer i Brigadës Golani dhe një ushtar i forcave rezervë në Batalionin e Inxhinierisë u plagosën rëndë gjatë betejave në veri të Rripit të Gazës”, ka shtuar ushtria.
Gjatë luftimeve në jug të Rripit të Gazës, ushtria tha se një oficer rezervë i batalionit të blinduar 2855 dhe një ushtar rezervë janë plagosur rëndë.
Ushtria izraelite nuk e specifikoi datën apo vendndodhjen e saktë të këtyre betejave.
Më herët të enjten, ushtria izraelite njoftoi se tetë ushtarë u plagosën rëndë gjatë betejave në jug dhe në veri të Rripit të Gazës.
Ushtria izraelite zbuloi gjithashtu në të njëjtën ditë se 29 oficerë dhe ushtarë u plagosën në betejat në Gaza gjatë 24 orëve të fundit.
Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim të plotë dhe ka ndërmarrë ofensivë tokësore si hakmarrje për sulmin ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor.
Të paktën 18.787 palestinezë janë vrarë dhe 50.897 janë plagosur në sulmin izraelit, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Numri i izraelitëve të vrarë është 1.200, ndërsa 135 pengje ende mbahen nga grupi palestinez në Gaza, sipas shifrave zyrtare.

