Ushtar izraelit akuzohet për spiunazh në favor të Iranit

Autoritetet izraelite kanë ngritur akuza ndaj një ushtari për spiunazh në favor të Iranit në këmbim të parave, bëri të ditur në një deklaratë agjencia e sigurisë së brendshme, Shin Bet.

Ushtari, i cili nuk është identifikuar me emër, dyshohet se ka dërguar video të ndërtimeve të sistemit izraelit të mbrojtjes nga raketat dhe vendeve të goditura nga zjarri raketor iranian gjatë luftës 12-ditore të muajit të kaluar mes të dyja palëve.

Shërbimi i sigurisë tha se ai nuk kishte dërguar materiale të mbledhura gjatë detyrës së tij në ushtrinë izraelite dhe shtoi se asnjë nga informacionet e dhëna Iranit nuk ishte i klasifikuar.

Megjithatë, deklarata theksoi: “Ky konsiderohet një incident veçanërisht i rëndë, që përfshin kontakt të drejtpërdrejtë midis një ushtari të [ushtrisë izraelite] dhe elementëve të huaj armiqësorë.”

Një gjykatë ushtarake urdhëroi që ai të mbahet në paraburgim deri javën e ardhshme.

Lajmi për aktakuzën erdhi vetëm një ditë pasi Izraeli nisi një fushatë të pazakontë mbarëkombëtare në media, duke paralajmëruar qytetarët që të mos spiunojnë për Iranin. Reklamat theksonin se ata që pranojnë para iraniane në këmbim të informacionit, rrezikojnë deri në 15 vjet burg.

Nga ana e saj, Irani ka ekzekutuar disa persona gjatë muajit të fundit pasi u dënuan për bashkëpunim me Izraelin dhe ndihmë në operacione të fshehta brenda vendit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button