Urdhërarresti i GJNP-së: Netanyahu shmang hapësirën ajrore franceze për herë të parë gjatë rrugës për në SHBA

Avioni që transportonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu drejt Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork ka shmangur hapësirën ajrore franceze, duke fluturuar vetëm mbi Greqi dhe Itali, sipas gjurmuesve të fluturimeve.

Netanyahu-s iu lëshua një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) në nëntor 2024, për akuza mbi krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjoja në Gaza që nga tetori 2023.

Të gjitha vendet e BE-së, përfshirë Italinë, Francën dhe Greqinë, janë anëtare të GJNP-së dhe janë ligjërisht të obliguara të zbatojnë urdhrat e arrestit, ndonëse Hungaria, aleate e Izraelit, ka filluar zyrtarisht procesin e tërheqjes nga kjo gjykatë.

Megjithatë, Italia, Franca dhe Greqia i kanë lejuar disa herë Netanyahut përdorimin e hapësirës së tyre ajrore pas lëshimit të urdhrave. Kjo është hera e parë që ai shmang hapësirën franceze që nga lëshimi i tyre, në një kohë me rritjen e kundërshtimit ndërkombëtar ndaj gjenocidit në Gaza dhe pasi Franca, Britania dhe aleatë të tjerë perëndimorë kanë shpallur njohjen e shtetit palestinez.

Gjurmuesit e fluturimeve të enjten treguan itinerarin e avionit, që dukshëm shmangu hapësirën ajrore franceze dhe spanjolle.

Javën e kaluar The Jerusalem Post raportoi se avioni “Krahu i Sionit” i Netanyahut do të ndiqte një rrugë më të gjatë sesa planifikuar fillimisht, për shkak të shqetësimeve se vendet evropiane mund të mos e lejonin kalimin.

“Ndryshimi i itinerarit lidhet me tensionet politike të shkaktuara nga lufta në Gaza, dhe me spekulimet se vendet anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale mund të refuzojnë kalimin ajror për individë që përballen me procedura ligjore,” raportoi Post, duke cituar burime anonime të njohura me çështjen.

‘Ai mund të arrestohet si kriminel lufte’
Edhe fluturimi i Netanyahut drejt SHBA-së në shkurt ndoqi një rrugë më të gjatë për shkak të frikës nga arrestimi, sipas ambasadorit izraelit në SHBA, Yechiel Leiter.

Ky ishte udhëtimi i tij i parë jashtë vendit që nga lëshimi i urdhrit të arrestit ndaj tij dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant mbi akuzën kryesore për përdorimin e urisë si armë lufte në Gaza.

Megjithatë, atëherë ai kaloi mbi Francë, Itali dhe Greqi, dhe tre vendet shpallën publikisht se nuk do të zbatonin urdhrat, duke përmendur imunitetin e tij të supozuar si kryetar qeverie.

Netanyahu kishte kryer së fundmi një operacion për heqjen e prostatës dhe kishte shqetësime se fluturimi i tij mund të detyrohej të ulej për trajtim emergjent, tregoi Leiter në një seminar online në mars.

“Nëse do të ulej diku në Evropë, ai mund të arrestohej si kriminel lufte. Prandaj duhej të fluturonte mbi bazat ushtarake amerikane.”

Në prill, Netanyahu kaloi mbi Francë, Itali dhe Kroaci gjatë një udhëtimi nga Hungaria në SHBA.

Ekspertët ligjorë kanë dënuar shtetet e BE-së për lejimin e kalimit të tij, duke e cilësuar si shkelje të Statutit të Romës, traktatit themelues të GJNP-së.

Një burim diplomatik francez i tha Middle East Eye në prill se fluturimi i Netanyahut më 2 shkurt kishte marrë “autorizim” për të përdorur hapësirën ajrore franceze, gjë që sipas tyre ishte “në përputhje të plotë me të drejtat dhe detyrimet e Francës sipas të drejtës ndërkombëtare”.

Por raportuesi special i OKB-së, Ben Saul, e kundërshtoi pozicionin e Francës.

“Sipas Konventës së Tokios të vitit 1963, një shtet normalisht nuk duhet të ndërhyjë në një avion në fluturim për të ushtruar juridiksionin e tij penal,” i tha ai MEE-së në atë kohë.

Por në të njëjtin traktat ekzistojnë përjashtime, përfshirë kur “ushtrimi i juridiksionit është i domosdoshëm për të siguruar respektimin e çdo detyrimi të tillë të shtetit sipas një marrëveshjeje shumëpalëshe ndërkombëtare”.

“Kështu, Statuti i Romës do të ishte një nga këto marrëveshje, që do t’i mundësonte një shteti të kërkonte uljen e avionit që kalon mbi territorin e tij, për të arrestuar një person në bord,” argumentoi Saul. /MEE/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button