UpScrolled, rivali i TikTok-ut që po kryeson App Store-in e Apple në ShBA

Disa ditë pas kalimit të TikTok-ut në pronësi me shumicë amerikane, një platformë relativisht e re e rrjeteve sociale, e quajtur UpScrolled, ka përjetuar një rritje të jashtëzakonshme të popullaritetit, veçanërisht mes përdoruesve të zhgënjyer nga ndryshimet e fundit të gjigantit të videove të shkurtra.
UpScrolled, e lansuar në mesin e vitit 2025 nga Issam Hijazi, një sipërmarrës palestinezo-jordaniano-australian dhe ish-zhvillues në Big Tech, paraqitet si një alternativë e “teknologjisë transparente” ndaj platformave dominuese si TikTok, Instagram dhe X.
Aplikacioni premton një përvojë pa censurë, pa “shadow ban” dhe pa manipulim të paqartë algoritmik, duke i dhënë çdo postimi një mundësi reale për të arritur audiencë përmes sistemeve të renditjes së drejtë.
Përdoruesit mund të postojnë dhe të zbulojnë një përzierje formatesh përmbajtjeje: video të shkurtra dhe më të gjata me cilësi të lartë dhe mjete të avancuara redaktimi, fotografi, postime tekstuale, “story” dhe më shumë.
Duke mbështetur “feed”-e kronologjike për llogaritë e ndjekura, si dhe një seksion zbulimi, aplikacioni fokusohet në lidhje autentike mes përdoruesve, dialog të hapur dhe ndërtim real komuniteti, përkundër me të ashtuquajturar mjedise të kontrolluara dhe të njëanshme të shërbimeve të mëdha të Big Tech.
Koha e ngritjes së UpScrolled nuk është rastësi.
Më 22 janar, TikTok finalizoi krijimin e TikTok USDS Joint Venture LLC, një entitet i ri në pronësi me shumicë amerikane dhe ndërkombëtare, ku përfshihen Oracle, Silver Lake dhe firma me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, MGX, secila me aksione të konsiderueshme, ndërsa kompania mëmë kineze ByteDance ruajti një pjesëmarrje minoritare prej 19.9 për qind.
Ristrukturimi, i cili adresoi shqetësime shumëvjeçare për sigurinë dhe shmangu një ndalim ligjor, përfshiu masa mbrojtëse për ruajtjen e të dhënave të përdoruesve amerikanë (të mbikëqyrura nga Oracle), ritrainimin e algoritmeve mbi të dhëna amerikane dhe protokolle të përforcuara të moderimit të përmbajtjes.
Megjithatë, tranzicioni shkaktoi shqetësim të gjerë te përdoruesit.
TikToku përjetoi ndërprerje dhe probleme teknike, si dhe ankesa për politika të reja privatësie që zgjeronin mbledhjen e të dhënave të vendndodhjes, ndryshime të perceptuara në dukshmërinë e përmbajtjes dhe frikë për rritje të censurës, veçanërisht për temat politikisht të ndjeshme.
Rritja arrin në një milion
Disa përdorues kanë ngritur shqetësime se investimi i Larry Ellison në entitetin amerikan të TikTok-ut mund të ndikojë në mënyrën se si moderohet përmbajtja propalestineze në platformë.
Ellison, një mik i afërt i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, është themeluesi i Oracle, e cila ka pjesë në ndërmarrjen amerikane. Operacionet globale të TikTok-ut mbeten nën kontrollin e ByteDance.
Përdoruesit gjithashtu akuzuan platformën për kufizimin e shtrirjes së postimeve kritike ndaj strukturës së re të pronësisë ose figurave dhe politikave të lidhura me të.
Sipas të dhënave të inteligjencës së tregut nga Sensor Tower, normat e çinstalimit në ShBA u rritën me gati 150 për qind në ditët menjëherë pas marrëveshjes.
Në këtë boshllëk ndërhyri UpScrolled.
E themeluar nga Hijazi, i cili thotë se humbi 60 të afërm në gjenocidin izraelit në Gaza, mes frustrimeve për moderimin selektiv të përmbajtjes propalestineze gjatë ngjarjeve të mëparshme globale, aplikacioni, i mbështetur pjesërisht nga iniciativa si Tech for Palestine, fitoi terren si një hapësirë e paanshme dhe pa censurë.
Shkarkimet shpërthyen: vlerësimet e Sensor Tower treguan rreth 400.000 instalime në ShBA dhe afro 700.000 globalisht deri në fund të janarit, me shumicën dërrmuese të tyre në javën pas ndryshimit të pronësisë së TikTok-ut.
Në një video të re të publikuar të enjten, Hijazi tha se UpScrolled kaloi nga 150.000 përdorues javën e kaluar në mbi 1 milion në “më pak se disa ditë”.
Rritje shpërthyese
Normat ditore të shkarkimeve u rritën me mijëra për qind në disa periudha matjeje, duke mbingarkuar përkohësisht serverët dhe duke e detyruar ekipin të zgjerojë me shpejtësi infrastrukturën.
Performanca në App Store pasqyroi këtë vrull. Nga mesi deri në fund të janarit, UpScrolled u ngjit në krye të kategorisë së rrjeteve sociale në dyqanin amerikan të Apple, duke kaluar Threads, WhatsApp dhe madje edhe TikTok në disa renditje, si dhe u shfaq dukshëm mes aplikacioneve falas më të shkarkuara në ShBA, Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Kanada.
Vlerësimet e përdoruesve qëndruan në nivelin mbi 4 yje nga mijëra komente, ku shumë prej tyre lavdëruan fokusin te privatësia, mungesën e kufizimit të shtrirjes dhe angazhimin ndaj lirisë së shprehjes.
Edhe disa figura të njohura iu bashkuan platformës, përfshirë Chris Smalls, aktivisti amerikan p dhe ish-organizator sindikal në Amazon, si dhe Jacob Berger, aktorin hebreo-amerikan i njohur për rolin e tij në serialin e njohur kriminal Brooklyn Nine-Nine.
Ndërsa UpScrolled ndërthur elemente të disa platformave në vend që të kopjojë fokusin e pastër të TikTok-ut në video të shkurtra, tërheqja e tij qëndron te premtimi për transparencë algoritmike dhe rezistencë ndaj paragjykimeve të fshehta: një magnet për ata që janë skeptikë ndaj ndikimit të Big Tech.
Hijazi e ka përshkruar platformën si një rikonceptim të rrjeteve sociale: një vend ku krijuesit dhe komunitetet mund të lulëzojnë pa ndërhyrje të panevojshme.
Shkalla e censurës së përmbajtjes në platformat kryesore, thekson ai, ishte një shtysë kryesore.
“Nuk po duroja më,” i tha Hijazi faqes së lajmeve teknologjike Rest of World. “Humba familjarë në Gaza dhe nuk doja të isha bashkëfajtor. Kështu që thashë: mjaft, dua të ndihem i dobishëm.”
Nëse UpScrolled do të arrijë ta mbajë këtë rritje shpërthyese përballë sfidave të shkallëzimit dhe konkurrencës mbetet e paqartë.
Rritja ka ngritur gjithashtu pyetje mbi mënyrën se si menaxhohet hapja totale.
“UpScrolled është e përkushtuar për mbrojtjen e lirisë së shprehjes, por me këtë liri vjen edhe përgjegjësia,” thuhet në FAQ-un e platformës.
Për momentin, megjithatë, ngjitja e saj nënvizon pakënaqësinë e thellë të përdoruesve ndaj ndryshimeve të diktuara nga pronësia, mungesa e transparencës algoritmike dhe kontrollit të përmbajtjes në platformat tradicionale, si dhe një etje në rritje për alternativa që vënë në qendër hapjen në një epokë të mbikëqyrjes gjithnjë e më të madhe mbi shprehjen digjitale.



