UNT organizoi promovimin e librit “Pushteti, identiteti dhe hapësira: Një studim sociologjik – politologjik mbi projektin ‘Shkupi 2014’”

Sot, në një ambient akademik mes studentëve, pedagogëve dhe mysafirëve nga vendi dhe jashtë, nën organizimin e Departamentit të Studimeve Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, u mbajt promovimi i librit të autorit Doc. dr. Murat Aliu, me titull: “Pushteti, identiteti dhe hapësira: Një studim sociologjik – politologjik mbi projektin ‘Shkupi 2014’”.
Në këtë promovim u prezantua një vepër voluminoze e Prof. Aliut, e cila ka rëndësi të veçantë për fushën e studimeve politike dhe sociologjike. Rreth librit dhe vlerës së tij diskutuan Prof. dr. Enis Sulstarova dhe Prof. dr. Ali Pajaziti, nën moderimin e Prof. dr. Enver Abdullahut.
Recensentët e librit shprehën mirënjohje për guximin dhe përkushtimin e autorit Murat Aliu, duke u shprehur të impresionuar nga hulumtimet e detajuara në këtë botim shkencor, të cilin e cilësuan si një histori brenda histerisë politike.
Në veprën “Pushteti, identiteti dhe hapësira: Një studim sociologjik – politologjik mbi projektin ‘Shkupi 2014’”, autori thekson se shteti modern ka mbajtur mbi vete detyrën e rëndë të realizimit të homogjenizimit nën idenë e identitetit kombëtar. Ai gjithashtu cilëson identitetin kombëtar si një bashkim nën një çati të kulturës dhe politikës.
Të pranishmit patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë me pjesëmarrësit mbi këtë vepër të rëndësishme, duke reflektuar mbi temat e ngritura nga autori.