UNT: Me kryeparlamentarin Gashi konkretizuam Marrëveshjen Kolektive

Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u nënshkrua sot Marrëveshja Kolektive e Sindikatave Universitare, një hap i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të të punësuarve në universitetet publike. Marrëveshja u firmos nga kryetari i Sindikatës së Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Inor. Dr. Avni Avdiu, dhe kryetari i Kuvendit të RMV-së, z. Afrim Gashi.
Marrëveshja Kolektive garanton dhe përmirëson të drejtat, përfitimet dhe privilegjet e stafit akademik dhe administrativ të universiteteve publike, të cilat janë në kompetencë të themeluesit të tyre – Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ky zhvillim vjen pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë me Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”, pas së cilës sindikatat e pesë universiteteve publike u bashkuan në Unionin e Sindikatave të Universiteteve Publike, duke kërkuar me këmbëngulje zbatimin e së njëjtës marrëveshje edhe për institucionet e tjera.
Sot, përveç Universitetit “Nënë Tereza”, Marrëveshjen Kolektive e nënshkruan edhe katër universitete të tjera publike: Universiteti i Tetovës, Universiteti i Ohrit, Universiteti i Shtipit dhe Universiteti i Manastirit.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përbën një arritje të rëndësishme për sindikatat universitare dhe Unionin e tyre, e realizuar brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe falë një angazhimi të vazhdueshëm institucional.



