UNRWA: Gaza përballet me një dimër të ashpër, Izraeli bllokon ndihmat

Gaza përballet me një krizë që po përkeqësohet ndërsa dimri po afron, me strehim dhe furnizime jetësore të bllokuara nga Izraeli që të hyjnë në enklavë, paralajmëroi agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë në platformën amerikane X, UNRWA tha se strehimi dhe materialet dimërore të destinuara për familjet e zhvendosura “po qëndrojnë në depot e UNRWA-s në Jordani dhe Egjipt, të bllokuara për të hyrë”.

“Ndërsa dimri po afron në Gaza, njerëzit kanë gjithnjë e më shumë nevojë për strehim dhe ngrohtësi”, tha agjencia, duke bërë thirrje për rikthimin e menjëhershme të qasjes së ndihmave humanitare.

Të enjten, transmetuesi publik i Izraelit, Kan, citoi një zyrtar të lartë qeveritar të ketë thënë se “Izraeli nuk ka ndërmend të lejojë UNRWA-n të kthehet në punë në Gaza pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare” që i kërkon atij ta bëjë këtë.

Deklarata erdhi një ditë pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se palestinezët në Gaza “nuk kanë marrë furnizime të mjaftueshme” të ndihmës humanitare dhe vendosi që Izraeli duhet të lejojë dhe lehtësojë shpërndarjen e ndihmës dhe të ndalojë përdorimin e urisë si metodë lufte.

Mendimi u lëshua si një këshillë ligjore jodetyruese nga gjykata, duke nënvizuar detyrimet e Izraelit në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, pas një kërkese nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 2024.

Kufizimi i Izraelit për hyrjen e mallrave në Gaza vazhdon pavarësisht marrëveshjes së fundit të armëpushimit me Hamasin të arritur në fillim të këtij muaji.

Marrëveshja bazohet në planin e paqes prej 20 pikash të presidentit të SHBA-së Donald Trump. Faza e parë e saj përfshinte lirimin e pengjeve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë. Plani parashikon gjithashtu rindërtimin e Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Që nga tetori 2023, lufta gjenocidale izraelite në Gaza ka vrarë më shumë se 68.000 njerëz.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button