Ukraina: Sulmi rus me raketa balistike plagosi 15 persona në qytetin e Kharkivit

Dy raketa balistike ruse goditën një ndërtesë banimi pesëkatëshe në qytetin verilindor ukrainas Kharkiv, duke plagosur të paktën 15 persona ndërsa dyshohet se disa të tjerë kanë mbetur nën rrënoja, thanë zyrtarët lokalë, transmeton Anadolu.
“Goditja ndodhi në një ndërtesë shumëkatëshe banimi në rrethin Kyivskyi të qytetit. Sipas të dhënave paraprake, ka të plagosur dhe dëme të konsiderueshme”, tha në Telegram kryetari i Bashkisë së Kharkivit, Igor Terekhov.
Oleh Synyehubov, kreu i Administratës Shtetërore Rajonale të Kharkivit tha se ushtria ruse përdori armë balistike në sulm, i cili e la ndërtesën në qendër të qytetit “plotësisht të shkatërruar”.
“Deri tani, mjekët u kanë dhënë ndihmë 15 personave të plagosur”, shtoi Synyehubov duke theksuar se ka informacione se banorë të tjerë mund të jenë ende nën rrënoja. Shërbimet e emergjencës, përfshirë forcat e rendit dhe personelin mjekësor, po zhvillojnë operacione kërkim-shpëtimi në vendngjarje, ku ka shpërthyer zjarr dhe janë dëmtuar edhe fasadat e ndërtesave përreth.
Kharkivi, i cili ndodhet rreth 30 kilometra nga kufiri me Rusinë, mbetet objektiv i shpeshtë i sulmeve ajrore gjatë luftës pothuajse katërvjeçare. Autoritetet ruse ende nuk kanë komentuar për sulmin ndërsa verifikimi i pavarur mbetet i vështirë për shkak të konfliktit në vazhdim.



