“Ukraina mund të ndahet si Gjermania pas luftës”, deklarata e të dërguarit të Trumpit trazon ujërat

“Ukraina mund të ndahet pothuajse si Berlini pas Luftës së Dytë Botërore si pjesë e një marrëveshjeje paqeje”, ka deklaruar i dërguari i presidentit amerikan për luftën, Keith Kellogg.

Gjenerali Kellogg sugjeroi se trupat perëndimore mund të adoptonin zonat e kontrollit si pjesë e një ‘force sigurie’, ndërsa rusët do të pushtonin lindjen.

Forcat ukrainase më pas do të mbanin një zonë të çmilitarizuar prej 28 kilometra mes tyre.

Kellogg, figura kryesore e SHBA-së në përfundimin e konfliktit tre-vjeçar, konfirmoi se nuk do të kishte forca amerikane në terren, ndryshe nga formimi i Gjermanisë pas vitit 1945.

Ai tha se veriu dhe jugu i Ukrainës mund të ndahet me një vijë demarkacioni, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Ju pothuajse mund ta bëni të duket si ajo që ndodhi me Berlinin pas Luftës së Dytë Botërore, kur kishit një zonë ruse, një zonë franceze dhe një zonë britanike”, shtoi ai.

Bëhet e ditur se komentet e tij erdhën pasi Kremlini mbrëmë hodhi poshtë një takim kyç midis Vladimir Putin dhe të dërguarit të paqes të Donald Trump – në një shenjë të dukshme se Rusia nuk është e interesuar për një armëpushim në Ukrainë.

Zëdhënësi i Putinit tha se bisedimet me të dërguarin amerikan Steve Witkoff, të cilat zgjatën më shumë se katër orë, nuk ishin “të rëndësishme” dhe nuk do të kishte lëshime.

Qëndrimi i ashpër i Rusisë dukej se e zemëroi presidentin e SHBA-së, i cili më pas postoi në platformën Truth Social një kërkesë që Putini ‘të lëvizte’ mbi një marrëveshje paqeje për të parandaluar vdekje të mëtejshme.

Ndryshe, Rusia tashmë ka refuzuar një propozim të mbështetur nga SHBA për një armëpushim pa kushte 30-ditor.

Ndërkohë, aleatët e Ukrainës premtuan një rekord prej 21 miliardë eurosh ndihmë ushtarake për vendin, me Sekretarin e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar duke paralajmëruar se viti 2025 ishte ‘viti kritik’ për luftën.

Mbështetja e shpallur përfshin një paketë prej 450 milionë funtesh nga Britania dhe Norvegjia për të financuar sistemet e radarëve, minat antitank, riparimet e automjeteve dhe qindra mijëra drone për Kievin.

Witkoff udhëtoi përsëri në Rusi të premten për të bërë presion mbi Kremlinin për të pranuar një armëpushim, por dukej se kishte pak besim se do të vinte një pauzë në armiqësitë.

Ministri gjerman i mbrojtjes Boris Pistorius tha se ‘agresioni i vazhdueshëm’ nga Rusia do të thotë ‘ne duhet të pranojmë se paqja në Ukrainë duket të jetë e paarritshme në të ardhmen e afërt’.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button