Ukraina godet një fabrikë raketash brenda Rusisë

Dronët ukrainas goditën një vend industrial thellë brenda Rusisë të shtunën, për të cilin mediat ruse thanë se është një fabrikë kryesore shtetërore raketash.
Sulmi ndodhi në republikën Udmurt të Rusisë, duke lënë 11 të plagosur, tre prej të cilëve u shtruan në spital, sipas një postimi në Telegram nga ministri i Shëndetësisë, Sergei Bagin.
“Një nga objektet e republikës u sulmua nga dronë”, të nisur nga Ukraina, tha kreu rajonal Alexander Brechalov në një postim tjetër në Telegram. Ai shtoi se sulmi shkaktoi lëndime dhe dëme, duke mos përmendur vendin dhe as nuk dha detaje të mëtejshme.
Një media ruse raportoi se sulmi kishte në shënjestër Uzinën e Ndërtimit të Makinerive Votkinsk, një ndërmarrje e madhe shtetërore e mbrojtjes, duke u bazuar në një analizë të pamjeve nga banorët.
Fabrika e Votkinskut, më shumë se 1,400 kilometra larg Ukrainës, prodhon raketa balistike Iskander, të cilat përdoren shpesh në sulme kundër vendit, si dhe raketa balistike ndërkontinentale me kapacitet bërthamor.
Kanalet e tjera ruse të lajmeve postuan video dhe foto, të cilat sipas tyre ishin nga banorët e Votkinskut, duke treguar tym të zi që ngrihej nga një vend industrial si dhe dritare të thyera në ndërtesa.



